Përgjimet e drogës në Korçë, avokati dhe dy persona të tjerë u ndaluan në pikën kufitare

66 kilogramë drogë është kapur nga policia në pikën doganore në kufi me Maqedoninë. Në pranga ka rënë një avokat dhe dy persona të tjerë, ndërsa në dosjen e Prokurorisë thuhet se ata kanë qenë në përgjim.

Joni Musku, një avokat në Korçë, rezulton të jetë pjesë e një hetimi për trafik droge nga Shqipëria në Greqi dhe Maqedoni.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Korçës, avokati Joni Mosku akuzohet se gjatë ditëve të javës shërbente si mbrojtës ligjor i qytetarëve të ndryshëm, ndërsa në fundjavë shërbente si transportues i lëndëve narkotike.

Rasti është zbuluar falë hetimeve disa mujore, të cilat vërtetuan aktivitetin e paligjshëm të avokatit dhe një personi tjetër, që quhet Ligor Romançka.

Në përgjimet e Prokurorisë, Romançka identifikohet me nofkën “Golja”, ndërsa dy personat e tjerë, nga katër që janë marë të pandehur, janë Idriz Manej me pseudonimin “Shkodrani” ose “Gjyshko” dhe i shoqëruari, Andrea Çiko, me pseudonimin “Turi Spatka”.

I proceduar për këtë çështje është dhe Albion Çiko, si njeriu që ka bërë modifikimin e makinave në servisin që është në pronësi të Andrea Çikos ose “Turi Spatkës”, që ndodhet në zonën e fshatit Vloçishtit të Korçës.

Një gjë e tillë është bërë në automjetin tip “Opel Meriva”, i cili u konstatua në doganën e Goricës, se ishte i ngarkuar me lëndë narkotike.

Drejtues i këtij automjeti, brenda të cilit u zbulua nga qeni nuhatës i policisë një sasi prej 66 kg kanabis sativa, ishte pikërisht avokati Mosku, i cili është arrestuar menjëherë pas konstatimit të kanabisit.

Veprimi ka vënë në alarm dhe dy të akuzuarit e tjerë “Golja” dhe “Gjyshko”, të cilët menjëherë sapo kanë konstatuar operacionin, kanë dalë nga rreshti i makinave që ishin në pikën kufitare në drejtim të Maqedonisë,  duke u kthyer në drejtim të Korçës.

Por një lëvizje e tillë, është vënë re nga agjentët e vëzhgimit, të cilët kanë bërë ndalimin e tyre gjatë rrugës në kthim, duke i komunikuar arrestimin për llogari të Prokurorisë së Korçës.