Shumica e krimeve në Shqipëri nga meshkujt, Raporti: Autorët kryesisht të papunë e me arsim 9-vjeçar

Krimet me dashje kundër jetës në Shqipëri përgjatë vitit 2021, janë kryer kryesisht nga meshkuj, të cilët në shumicën e rasteve janë të papunë dhe me arsim 9-vjeçar. Madje numrin më të lartë të dosjeve e zënë qytetet. Ky është konkluzioni që ka dalë nga raporti i Prokurorit të Përgjithshëm, ku nënvizohet se Përmeti vazhdon të mbetet qytet i qetë pa asnjë dosje penale.

97,7 % e të pandehurve që kanë kryer vepra penale me dashje kundër jetës përgjatë vitit 2021 janë meshkuj ndërsa vetëm 2,3 % e tyre janë femra.

Ky është konkluzioni që ka dalë nga raportin për gjendjen e kriminalitetit për vitin që kaloj, që Prokurori i Përgjithshëm e ka paraqitur në Kuvend.

Sa i takon arsimimit rezulton se 6,36 % e të pandehurve të regjistruar janë me arsim të lartë, 36,99 % janë me arsim të mesëm dhe pjesa tjetër e të pandehurve, prej 56,65 % rezultojnë me arsim deri 9-vjeçar.

Një tjetër e dhënë e rëndësishme është edhe fakti se pjesa më e madhe e të pandehurve janë të papunë në 72,9 % e tyre 26,17 % janë të punësuar në sektorin privat dhe 0,9 % rezultojnë të punësuar në sektorin shtetëror.

Sipas raportit rezulton se, rreth 55,83 % e të pandehurve për këtë grup veprash janë banues në qytet dhe vihet re se 13,25 % e tyre janë përsëritës për vepra të tjera.

Përmeti vazhdon të mbajë rekordin duke mos shënuar asnjë rast të procedimit penal, teksa rendi duket i qetë dhe në Kavajë, Mat, Gjirokastër e Dibër ku janë regjistruar 1 % e procedimeve.

Raporti evidenton se numri më i lartë i çështjeve të regjistruara për krime kundër jetës të kryera me dashje është në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, Tiranë  e ndjekur nga Vlora dhe Shkodra.