BE jep detyrat e shtëpisë për Ballkanin. Reforma në Drejtësi, kusht për anëtarësimin e Shqipërisë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola Von Cramon ka dhënë udhëzime të qarta se çfarë duhet të bëjë BE-ja në lidhje me Ballkanin Perëndimor, si dhe ç’duhet të bëjnë konkretisht 6 shtetet e rajonit për t’u anëtarësuar në union.

Sipas zyrtares, Shqipëria dhe Kosova duhet të konkretizojë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe të trajtimit të minoriteteve etnike.

Viola Von Cramon: Përpara se të konsiderohet seriozisht anëtarësimi, Shqipëria dhe Kosova duhet të tregojnë se rezultatet e reformës në drejtësi dhe ato të mbrojtjes së pakicave etnike janë zbatuar plotësisht. Në Malin e Zi duhet të përshpejtohet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Serbia duhet të tregojë rezultatet e reformës në drejtësi, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe ndërtimin e institucioneve.

Eurodeputetja ka i ka bërë thirrje BE-së që të shtojë përpjekjet për të ndihmuar Sofjen dhe Shkupin të gjejnë gjuhën e përbashkët si edhe ka ngritur çështjen e vetos franceze për liberalizimin e vizave për Kosovën, për të cilën thotë se i ka përmbushur kushtet.

Viola Von Cramon: Bashkimi Evropian duhet të trajtojë seriozisht Ballkanin Perëndimor për t’u bërë një forcë e besueshme. Për këtë, BE-ja duhet të ofrojë stimuj për vendet që bëjnë progres, si për shembull liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sipas eurodeputetes, përtej anëtarësimit, më e rëndësishmja është paqja në rajon dhe pa një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit nuk do të ketë paqe në Ballkan.

Viola Von Cramon: Nuk do të ketë paqe të qëndrueshme nëse nuk arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse si ajo e Brukselit e vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, e ndjekur nga vëmendja e vazhdueshme për vendosjen e paqes në Bosnje Hercegovinë, e cila është një tjetër pikë e nxehtë në Ballkanin Perëndimor.

Sipas Von Cramon, mos përmbushja e këtyre akteve nga vendet e Ballkanit Perëndimor janë justifikime kronike për vonesat e rajonit drejt anëtarësimit në BE.