Amerika njeh Alibeajn dhe Bardhin si drejtues të PD, Donfried: Pozicioni i SHBA i qartë, s'mund të takohesha me Berishën
Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, konfirmoi edhe njëherë se qëndrimi i SHBA për ish-kryeministrin Berisha mbetet i pandryshuar.
Zëri i Amerikës: Zonja Donfried, vitin e kaluar Sekretari amerikan i Shtetit përcaktoi ish kryeministrin Sali Berisha, për korrupsion madhor. Por përcaktimi i tij dhe këmbëngulja e SHBA-ve për ta lënë zotin Berisha jashtë grupit parlamentar, e forcoi pozitën e tij në parti dhe sot duket se ai, thuajse “de facto” ka rimarrë kontrollin e Partisë Demokratike, duke synuar rizgjedhjen si kryetar i saj. A ju shqetëson ju kjo situatë? Dhe deri ku do të shkonin marrëdhëniet e SHBA-së me një opozitë të drejtuar nga zoti Berisha? Çfarë ndikimi mund të ketë kjo për marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë?
Nd/Sekretarja Donfried: Sekretari Blinken e shpalli Z. Berisha për shkak të akteve të korrupsionit ku ishte përfshirë dhe unë, si zyrtare e qeverisë së SHBA, nuk mund të takohem me persona të shpallur. Besoj që pozicioni i SHBA është shumë i qartë. Në fakt u takova sot me drejtues të opozitës dhe do të ndaj me ju faktin që më bëri përshtypje se sa shumë biseda jonë u përqendrua jo tek e kaluara por tek e ardhmja dhe se çfarë PD kërkon të arrijë dhe pret për sa i përket çuarjes përpara të objektivave të Shqipërisë.
Duke folur në një intervistë për VOA, pyetjes së gazetarit se në çfarë cilësie i takoi Alibeajn dhe Bardhin, ajo u përgjigj.
Zëri i Amerikës: Ju thatë se sot takuat tre deputetë të Partisë Demokratike, zotin Alibeaj, zonjën Tabaku dhe zotin Bardhi. Në çfarë kapaciteti i takuat ata, sespe zoti Berisha nuk i njeh ata si drejtues të PD-së?
Nd/Sekretarja Donfried: U takova me ta në cilësinë time si Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë dhe në cilësinë e tyre si drejtues të Partisë Demokratike. Dhe është diçka shumë e zakonshme kur udhëtoj që të takohem si me anëtarë të qeverisë ashtu edhe me anëtarë të opozitës. Dhe për mua është gjithnjë shumë frymëzuese, diçka që të ngacmon të menduarin dhe e dobishme të dëgjosh perspektiva të ndryshme nga këndvështrime të ndryshme.
Përveç Berishës, Uashingtoni sanksionoi së fundmi edhe ish-deputetin, Aqif Rakipi, me lidhje të qarta me partinë e shumicës në pushtet. E pyetur se cilat janë pritshmëritë e saj nga autoritetet shqiptare ajo u përgjigj:
Nd/Sekretarja Donfried: Mendoj se kam qenë e qartë në lidhje me rolin që luajnë shpalljet. Në lidhje me çfarë ndodh në Shqipëri pas tyre, do të thoja se unë besoj që qytetarët shqiptarë, si njerëzit në të gjithë botën, duan të mbështesin kandidatë të pastër.
Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike foliedhe për marrëdhëniet e SHBA me Shqipërinë dhe pritshmëritë lidhur me reformat dhe luftën ndaj korrupsionit.
Nd/Sekretarja Donfried: Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash demokratike. Disa prej tyre, siç e dini, kanë vënë në shënjestër korrupsionin dhe janë përqendruar tek reforma në drejtësi.
Në bisedat e mia këtu, edhe kam duartrokitur përparimin që ka bërë Shqipëria, por edhe kam thënë vazhdoni, ka më shumë për të bërë dhe SHBA-të janë me Shqipërinë për të mbështetur përparim më të madh me këto reforma.
Zëri i Amerikës: Zonja Donfried, së fundmi, Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin e përvitshëm për të drejtat e njeriut. Sipas Raportit, problemet kryesore në Shqipëri janë “pavarësia e gjyqësorit, pandëshkueshmëria, apo dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes.” Sipas raportit, Shqipëria nuk ka bërë asnjë përparim në vitet e fundit, pasi të njëjtat probleme përsëriten vazhdimisht. Çfarë mendoni për këtë? Çfarë ju tregon për gjendjen e demokracisë shqiptare? Freedom House, vetëm një javë më parë e quajti sistemin shqiptar hibrid/kalimtar.
Nd/Sekretarja Donfried: Mendoj që ajo që ka rëndësi në lidhje me këto raporte është që në disa raste ato edhe njohin përparimin e bërë, por edhe theksojnë se çfarë mbetet për t’u bërë. Dhe në rastin e këtyre reformave në Shqipëri, do të argumentoja se ju, tani po filloni të shihni ndikimin e legjislacionit që u miratua këtu në Shqipëri, i cili po zbatohet tani. Dhe, po, siç thashë kur u përgjigja për pyetjen e mëparshme, mendoj që ka ende shumë që Shqipëria duhet të bëjë dhe ne e mbështesim këtë. Por, mendoj se tani po filloni të shihni pikërisht atë ndikimin e rëndësishëm të legjislacionit që Shqipëria ka.

