Negociatat me BE/ Varhelyi: Kërkoj më shumë durim nga Shqipëria, jemi në diskutime me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut

Eurokomisioneri Oliver Varhelyi, në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin Edi Rama, ka folur për negociatat me BE.

Në fjalën e tij ai tha se procesi i Integrimit ka të bëjë me stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, ndërsa ka vlerësuar durimin e vendit tonë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Ai tha se për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, po bashkëpunon me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Oliver Varhelyi: Sigurisht që, tema tjetër e madhe dhe e rëndësishme, është që kur do të mbahet më së fundmi Konferenca e Parë Ndërqeveritare mes BE dhe Shqipërisë  dhe ndërmjet  BE dhe Maqedonisë së Veriut. Ju e shikoni që jam në një tur të Ballkanit Perëndimor, kam qenë në Sofje, isha në Shkup dhe tashmë jam në Tiranë. Ndoshta mund t’i keni parë disa nga ato mesazhet e mia publike, në Sofje për shembull, kështu që nuk dëshiroj të përsëris ato që kam thënë, megjithatë ajo që mund t’iu them është që ne duhet patjetër që të përdorim gjithçka që kemi në dorë, nuk mund të kemi një luftë në Europë dhe Europa të mos përdorë të gjithë mundësitë e saj që të stabilizojë Ballkanin Perëndimor sepse i gjithë procesi i zgjerimit dhe integrimit ka të bëjë me stabilitetin dhe me sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Është e vërtetë që në këtë proces, ne, jo vetëm shikojmë stabilitet, por mund edhe të krijojmë dhe të vendosim stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Prandaj, nuk mund dhe nuk i jap aspak kohë atyre që janë të përfshirë në këtë proces që të mos bëjnë atë që duhet bërë. Ne e dimë të gjithë se çfarë duhet të bëjmë. Ne duhet që këtë vendim ta marrim në tryezë e të ecim përpara me punën sepse në rast se nuk marrim ato vendime që mund të marrim, atëherë do të thotë që ne po heqim dorë nga ai mandat që ne kemi, nga ajo që ne mund të bëjmë.

Prandaj, unë po bashkëpunoj shumë, po punoj nga afër me miqtë tanë bullgarë dhe maqedonas. E vlerësoj shumë durimin e Shqipërisë dhe durimin e kryeministrit Rama. Kërkoj për pak më shumë durim nga ana juaj sepse objektivi ynë është që kjo punë të kryhet, të mbarohet gjatë presidencës franceze.