Hekurudha lë 1100 punonjës pa sigurime shoqërore

Prej të paktën 8 muajsh punonjësve të Hekurudhës shqiptare nuk po u paguhen siguracionet shoqërore. Sindikata thotë se rreth 1100 punonjës janë lënë në mëshirë të fatit, ndërsa paralajmërojnë protesta nëse situata nuk merr zgjidhje.

Sindikata e Pavarur denoncoi se prej 8 muajsh 1100 punonjësve të Hekurudhës Shqiptare nuk u paguhen sigurimet shoqërore, siç parashikohet nga Kodi i Punës dhe ligjet shqiptare.

Denoncimi ka ardhur nga Kreu i Sindikatës së Pavarur të Hekurudhës, Osman Meta i cili shprehet se institucionet po heshtin përballë kësaj situate.

"Ne kemi problem me pagesën e sigurimeve shoqërore. Ka 8 muaj që nuk paguhen, është bërë problem dhe ish-administratori Ani Dyrmishi mori përsipër që me shitjen e skrapit çdo gjë do përfundojë në borxhe", tha Meta.

Meta shprehet se nëse problemi nuk zgjidhet shpejt, atëherë sindikata e hekurudhës do të thërrasë protesta.

"Nuk kemi për tu ndarë kurrë nga kjo kërkesë që kemi ne. Nëse do vazhdohet kështu ne do vazhdojmë protestat", tha ai.

Një tjetër problem sipas kryesindikalistit është edhe hekurudha në vetvete, ku sipas tij institucionet qendrore janë duke e lënë atë të degradojë, duke mos bërë asgjë për ta vënë në funksion të plotë.

"Për ta rregulluar hekurudhën shqiptare e para është qe ne dyshojmë se ata nuk duan ta bëjnë. Se po të duan e bëjnë", shtoi Meta.

Problemi i hekurudhës shqiptare është shtruar disa herë ndërsa degradimi i saj është denoncuar publikisht nga sindikatat dhe shoqëria civile.