Rama i tha opozitës se ishin "Kumi tek Bova!", Ja kuptimi i thënies vlonjate

Ndërsa në Kuvend vijon debati për pr/ligjin e menaxhimit të Butrinit, Rama përdori gjuhë intimiduese drejt opozitës.

Madje përdori një thënie të vjetër vlonjatçe “Kumi tek bova” për të përshkruar situatën ku ndodhet opozita pas përçarjes.

Por çfarë do të thotë “Kumi tek bova”? 

E përdorin vlonjatët për një person që nuk bëhet më, është drejt fundit. 

Bova është enë metalike e zbrazët në trajtë fuçie a në ndonjë trajtë tjetër, që rri mbi ujë. Vihet në det ku lidhen përkohësisht anijet në pjesën më të thellë të cektinës së detit.

Flitet për një person që o është notar i jashtëzakonshëm që ia del të dalë në breg ose është i mbytur. Por praktikisht ai që merr "kum tek bova" është i mbytur.

Çfarë tha Rama?
"Ju jeni fundi! Jeni “kumi tek bova”, siç thoshin vlonjatët. Nuk keni lidhje fare se çfarë flisni. Nuk mbani përgjegjësi. Dini vetëm të shani, akuzoni.

Fatkeqësi e madhe për jetimët që keni lënë rrugëve. Të gjithë ata që nuk duan të votojnë për ne, i keni lënë rrugëve. I keni bërë mish për top  në këtë luftën tuaj absurde. Një i vdekur që ju e dini të gjallë. Ca të gjallë që janë më të vdekur se i vdekuri e kërkoni ju të na tregoni ne si bëhet parku i Butrintit. O vdeksha unë për ju!"