Shëngjini këtë verë nën monitorimin e kamerave
Incidentet e ndodhura së fundmi në Shëngjin kanë detyruar Bashkinë e Lezhës që pak ditë para nisjes së sezonit turistik të vendosë nën vëzhgim të gjithë rrugët dhe kryqëzimet e qytetit.
Kryetari i Bashkisë, Pjerin Ndreu ka hapur tenderin për ndërtimin dhe instalimin e kamerave të sigurisë në hapësirat publike të Shëngjinit
Monitorimi i gjithë zonës 24 orë me kamera synon të ndalojë vjedhjet dhe dëmtimet në ambientet publike, të identifikojë aktivitetet e dyshimta dhe të paautorizuara ku mund të përfshihet dhe hedhja e mbetjeve në hapësirat e plazhit nga subjektet tregtare.
KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE
Raportimi do të bëhet nga paisja e komunikimit tek operatori i administrimit që mund të jetë roja, Policia e Shtetit, zjarrfikësja apo personat përgjegjës.
Fondi limit i vënë në dispozicion është 12 milionë lekë ose rreth 100 mijë euro, ndërsa konkurrentët do të duhet të kenë të paktën 10 punonjës.
Në punimet e kërkuara do të ketë gërmime dhe punime në linjat telefonike dhe të telekomunikacionit.
Për këtë pjesëmarrësve iu kërkohet kamion vetëshkarkues me kapacitet mbajtës 5-12 ton, kamionçine nga 0.5 deri 3 ton, ekskavador dhe vinç me kosh. Ndërkohë stafit teknik veç 3 inxhinerëve do t’i shtohen dhe një teknik elektronik, një elektriçist dhe një specialist IT.
