Profili i Presidenti të ri, mosdakordësi mes opozitës dhe maxhorancës
"Kushtetuta ka nevojë për një garant, Republika ka nevojë për një figurë që të mishërojë normalitetin e bashkëjetesës", tha Rama dje, 27 prill pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë.
Socialistët kërkojnë një president që nuk është nga sfera politike, teksa kanë vendosur të presin opozitën deri në 20 maj.
Por për kryetarin e grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj kreu i ri i shtetit duhet të vijë pikërisht nga fusha e papëlqyer nga selia rozë.
"Njeri, një profil politik i cili mos të ketë të bëjë fare me influencën e votave të "non gratave", tha Alibeaj.
Edhe pse nuk ka mbështetjen e të gjithë deputetëve të tij, Alibeaj thekson se PS nuk e ka legjitimitetin të zgjedhë e vetme, e për këtë sjell në vëmendje deputetët e shpallur "non grata."
"Janë 4 deputetë të kësaj maxhorance, ca publikisht dhe ca jo të etiketuar si "non grata", të cilët nuk kanë të drejtën morale dhe jo politike për të votuar Presidentin e Republikës" tha Alibeaj.
Duke theksuar se di mirë matematikën, Alibeaj kërkoi transparencë në zgjedhje por po ashtu theksoi se do të kërkojë dhe mendimin e grupit demokrat.
"Është e rëndësishme që të zgjidhet një profil politik dhe të gjitha këto janë të miat, të cilat do diskutohen në grupin parlamentar", tha ai.
