"Patronazhistët gati për vitin tjetër", Balla-opozitës: Do t'ju mundim sa herë të na dilni para
Rikthim në periudhën e diktaturës komuniste, dhe spiunim në çelësin e derës, e cilësoi opozita sistemin e patronazhistëve në Shqipëri. Madje në foltoren e kuvendit u theksua se askush nuk ka mbajtur përgjegjësi për lënien sheshit të të dhënave personale të shqiptarëve. Nga ana tjetër socialistët edhe një herë theksojnë se ndihen krenar për patronazhistët që do të jenë gati edhe në zgjedhjet e radhës.
Skandali me publikimin e të dhënave personale, patronazhistëve para zgjedhjeve parlamentare dhe shpërndarjen e pagave dhe targave të automjeteve, ka zënë 4 faqe prej 94 të tilla në raportin e komisionerit për mbrojtjen e të dhënave personale. Megjithatë edhe aty nuk ka nxjerrje të përgjegjësve por vetëm këshillime.
"Rastet e cenimit dhe përhapjes masive të informacionit personal të qytetarëve treguan dobësi të theksuar të strukturave he sistemeve që i administrojnë ato."
Pas fitores së zgjedhjeve parlamentare, opozita u shfaq e shqetësuar për konstatimin.
"Ne jemi në momentin e një skandali më të rëndë, të një shteti të rënë ku miliona të dhëna personale, nga tëdhënat personale të identitetit janë sheshit që të gjitha. Sigurisht që këtij i intereson të jenë sheshit, të përdoren si të duan."
Grida Duma kujtoi momentin kur Rama përdori foton e saj në fushatë. Por e konsideroi alarm sistemin e patronazhistëve si spiunët e kohës së para diktaturës.
"Të thoni më fal që kthyem spiunazhin, pjesën më të keqe të shkatërrimit të shoqërisë shqiptare sepse shkatërroi besimin te tjetri."
I vetmi në reagimin e tij ka qenë Taulant Balla I cili nuk ka harruar ti vlerësoj dhe të garantojë opozitën se patronazhistët do të jenë sërish aty.
"Shumë faleminderit opozitës për vlerësimin që vazhdoni t'i bëni patronazhistëve. Ata janë aty, janë gati po presin vitin e ardhshëm që t'ju mundim prapë sa herë të na dilni përpara."
