Këshilltarët në Vlorë votojnë kundër qytetarëve, rrisin biletën e urbanit
Në mes të një krize të thellë ekonomike ku çmimet e pothuajse të gjithë produkteve janë rritur, këshilltarët e Bashkisë së Vlorës ngritën të enjten, 28 prill kartonët jeshilë për të votuar pro rritjes së çmimit të biletës së transportit urban.
Tanimë qytetarët e Vlorës me vendim të përfaqësuesve të tyre do të paguajnë 40 lekë biletën e transportit urban, nga 30 që ishte deri më tani.
Edhe pse nuk ishte e përcaktuar në rend të ditës për tu diskutuar sot nga këshilltarët, kërkesa e përfaqësuesit të Firmës Private është miratuar nga këshilltarët pa hezitim dhe pa kërkuar afate për ta diskutuar si pikë.
Qytetarët e Vlorës shpesh-herë janë ankuar në lidhje me transportin urban dhe kushtet e tij, ndërsa bashkia ka zgjedhur që tu përgjigjet me rritjen e çmimit të biletës, pa konsultime publike.
Rritja e çmimit të biletës vjen në një kohë kur vendi është përfshirë në një krizë ekonomike, si për shkak të luftës që po ndodh në kufijtë e Evropës, por edhe për shkak të krizës energjitike, ndërsa si institucionet vendase ashtu edhe ato ndërkombëtare kanë paralajmëruar ditë jo të mira për ekonominë e brendshme.
