Nga Rruga e Arbrit drejt Kosovës, Serbisë e Hungarisë. Edhe 2 të arrestuar, pjesë të linjës së trafikut të klandestinëve

Policia e Dibrës arrestoi dhe dy persona pjesë e grupit që merrej me aktivitetin kriminal të dhënies ndihmë për kalimin e kufirit, kundrejt fitimit, shtetasve nga vendet e treta, me qëllim kalimin drejt vendeve të BE-së.  

4 anëtarë të këtij grupi u arrestuan më 25 shkurt 2022, ndërsa u procedua penalisht pronari I një hoteli në Tiranë.

Sot u finalizua faza e dytë e operacionit policor të koduar “SMUGGLING”.    

Si rezultat i këtij operacioni janë kapur dhe ndaluar shtetasit G. K., 26 vjeç dhe N. K., 28 vjeç, banues në Fushë Krujë.

 “Nga hetimet e kryera dhe provat e grumbulluara ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, (dhe grupin e goditur në operacionin e zhvilluar më parë,) i ofronin ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufijve, shtetasve me origjinë siriane, duke ndjekur Rrugën e Arbrit, në drejtim të qytetit të Peshkopisë, me qëllim kalimin e tyre për në Kosovë, Serbi dhe Hungari” informon policia.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjete, 3 telefona celularë dhe një dokument identifikimi i lëshuar nga një organizatë jofitimprurëse.  

Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal dhe kapjen e atyre të shpallur në kërkim.