“Tik taku” i Bashës, çfarë po ndodh në PD?
Të gjithë palët në Partinë Demokratike, flasin për bashkim të demokratëve, por në realitet përpjekjet duken të vakëta. Lulzim Basha, ripërsëriti qëndrimin se është i gatshëm të behet pjesë e zgjidhjes, por ndërsa deputetët e tij presin dorëheqjen ai asgjë nuk thotë në këtë drejtim. I rezervuar kundrejt emrit të Lulzim Bashës, u shfaq edhe kundërshtari me i madh politik i muajve te fundit Sali Berisha, icili deklaroi se ai vetë po merret me bashkimin e Partisë Demokratike.
Lulzim Basha por dhe Sali Berisha, flasin me gjuhen për bashkimin e demokratëve, por asnjëra nga palët nuk kanë kryer ndonjë akt konkret. Lulzim Basha sërish deklaroi se është në funksion të çdo zgjidhje duke lënë të kuptohet edhe dorëhqjen.
"Dua të them se jam mirënjohës për ndihmën që jep çdo anëtar i Partisë Popullore Evropiane për PD, për demokratët. E dyta dhe më e rëndësishmja, por që nuk është lajm për ju dhe dua ta konfirmoj para demokratëve që unë mbetem në dispozicion për të bërë çdo gjë për hir të demokratëve dhe për të bashkuar PD", tha Basha.
Sali Berisha u mjaftua vetëm me këtë deklaratë.
"Po merrem me intensitetin më të madh për bashkimin e PD", tha Berisha.
Por përtej deklaratave ne Partinë Demokratike gjithçka ka ngecur. Grida Duma, mban shënim orët e Bashës, ndërsa një ditë më parë ajo tha se afati i fundit kur Basha duhet të shprehet prerë për të ardhmen e tij ishte e enjtja. Sot ajo foli për afate të reja.
"PD që të jetë e madhe duhet të dalë nga këto konflikte dhe cic micet", tha Duma.
Në një linjë është edhe Ervin Saljanji, por ai shprehet me i bindur se Basha tashmë është i dorëhequr, mjafton vetëm shpallja e këtij akti.
"Nuk ka për të pasur tërheqje, ka për të pasur dorëheqje", tha Salianji.
Por qartë duket se balancat në selinë blu e për më tepër në grupin parlamentar kanë nisur të ndryshojnë.
Pas 6 marsit disa deputet po rrëshqasin drejt Komisionit të Rithemelimit të Sali Berishës, e disa të tjerë tashmë kanë mbetur në “tokë neutrale” duke kërkuar si akt të parë dorëheqjen e Lulzim Bashës.
Siç shihet në këtë kërkesë ku “Grupi i Rithemelimit” kërkon interpelancë më Edi Ramën për çmimet, firmëtarë janë edhe dy deputet që nuk kanë dalë hapur deri më sot pro kësaj lëvizje, drejtuesi politik i Vlorës, Bujar Leskaj dhe deputetja e Shkodrës Emilia Koliqi.
Ndërkohë Dhurata çupi, do të deklaronte të mërkurën për martën se beson në lëvizjen e Sali Berishës si një përpjekje për të bashkuar demokratët.
Çdo orë që kalon i ndryshon balancat në këtë forcë politike e tashme mbetet për tu parë në qoftë se palët do të dakordësohen për një komision tranzitor drejtimi, apo rruga është e pa shmangshme drejt një kuvendi zgjedhor ku nuk përjashtohet që në garë të jetë edhe Sali Berisha.
