U nxjerrin “naftën” për naftë pa taksa, fermerët e Fierit përballen me radhë kaotike e mungesë shërbimi
Fermerëve po u nxjerrin 'naftën' për të përfituar naftën pa taksa të qeverisë. Në Fier, ata po përballen me radhë kaotike dhe mungesë shërbimi.
Janë dëshmi e trajtimit skandaloz që i bëhet qytetarit të thjeshtë në dyert e institucioneve shtetërore.
Këto pamje tregojnë situatën e krijuar të enjten pranë zyrës së ekspansionit bujqësor në Fier, ku aplikohet për subvencionet në bujqësi.
Fermerë nga zonat më të largëta të qarkut kishin mbërritur aty për të zënë radhën që pa dalë dielli.
U përballën me dyer të mbyllura dhe arrogancë të atyre që janë shërbëtore publikë.
"Dje deri në 4, sot erdha në 5 të mëngjesit."
"Edhe sot asgjë, kam ardhur që në 6. Vajti ora 10 dhe rri pas murit."
Shumë prej tyre tregojnë se janë aty për ditë me radhë dhe nuk po munden të aplikojnë.
Sportelet në dispozicion sipas tyre nuk e përballojnë fluksin.
"Asnjë person nuk del të thotë diçka."
Në këto kushte, janë mosbesues se do të arrijnë të aplikojnë në kohë për të përfituar nga skema kombëtare e mbështetjes.
"Nuk ma merr mendja të arrijmë dot."
Për shkak të vonesave dhe mungesës së shërbimit, të mërkurën një qytetar theu një xham, ndaj për të menaxhuar radhën u thirr policia.
Qeveria ka përcaktuar një fond prej 1,45 miliard lekësh për naftë pa taksa për fermerët, por këta të fundit thonë po hasin me vështirësi për ta përfituar jo vetëm për shkak të burokracive por edhe kritereve.
