"Duam shkollë!" Prindër e nxënës të lodhur me turnet, kërkojnë rindërtimin e shkollës "Musine Kokalari"
Dy vite pas tërmetit të nëntorit 2019 bashkia e Tiranës ende nuk e ka rindërtuar shkollën Musine Kokalari. Prindërit janë detyruar ti transferojnë fëmijët në një shkollë tjetër larg zonës së banimit ku procesi mësimor zhvillohet me turne. Ata thonë se nëse bashkia nuk i jep zgjidhje situatës do ti mbajnë fëmijët në shtëpi pasi shkolla ku mësojnë fëmijët aktualisht ka klasa të mbingarkuara dhe problem mbetet mospërputhja e orareve.
"Duam shkollë!"
Këto janë thirrjet e nxënësve të shkollës "Musine Kokalari" në Tiranë e cila u dëmtua nga tërmeti i nëntorit të vitin 2019.
Pas fatkeqësisë natyrore fëmijët që mësonin aty janë transferuar tek shkolla “Betim Muço”.
Prej më shumë se dy vitesh aty kanë zhvilluar mësimin me turne, por orari i pasdites është një problem për prindërit dhe nxënësit.
"Mu desh të mbaja bashkëshorten pa punë që të përshtatesha me një orar shkolle. Sot edhe unë që vij këtu, më duhet të ndërroj orare, turne. Më duket shumë e turpshme që të vazhdojnë të tallen jo vetëm me 600 fëmijë, por vazhdojnë e tallen me 1200 fëmijë. Ne po hasim problematika me mosndërtimin e kësaj shkolle."
Prindërit thonë se mësimi nis në orën 2 dhe përfundon në 8 të darkës, duke shkaktuar mospërputhje oraresh e pamundësi shoqërimi të fëmijëve pasi ata janë në punë.
"Ka pasur prindër të cilët aktualisht detyrohen të lënë oraret e punës për t'i mësuar fëmijët."
Shkolla e dëmtuar nuk është rindërtuar ende pavarësisht se kanë kaluar më shumë se 2 vite nga tërmeti. Vonesa e punimeve ka bërë që 600 nxënës të frekuentojnë një tjetër shkollë në klasa të mbipopulluara.
"Mbipopullim në klasa ka, unë di që duhet të jenë rreth 35 fëmijë."
Prindërit thonë se nëse bashkia nuk merr masa ata do t'i mbajnë fëmijët në shtëpi.
