"Një kg mish viçi 8 mijë lekë në Lushnje", Braçe i lë "detyra" ministres Krifca: Paguani plehrimin të shpëtoni grurin
Deputeti socialist i Divjakës, Erjon Braçe, u përball sot në Kuvend në një interpelancë me ministren e Bujqësisë Frida Krifca, lidhur me masat mbështetëse përmes fondeve të Programit të Zhvillimit Rural 2022.
Nga Foltorja e Kuvendit, ai i shpalosi kërkesat ministres për të shpëtuar atë çfarë ka mbetur nga bujqësia dhe blegtoria.
-Të revizionohet skema, analizoni ekonominë e fushës dhe paguani për grurin,misrin, ushqimin e bagëtive. Në mos shumë, paguani këtë dorë të plehrimit, dorën e tretë të plehrimit me qëllim që të shpëtojmë grurin që është në fusha dhe të garantojmë që misri që e pason si kulturë të rritet i shëndetshëm në sipërfaqe të shtuara dhe rendimente që na garantojnë një sasi të konsiderueshme për këtë vit që është viti jetik për ekonominë tonë.
-Së dyti analizoni ekonominë e sërës dhe paguani çdo dynym që vlen ekonomikisht. Nëse 4-5 dynym serë me tre cikle prodhimi janë rentabël, u japin para bujqve dhe na japin ne prodhimin e domosdoshëm konsum brenda vendit dhe eksporte, duhet ta paguajmë deri në fund.
-Së treti analizoni ekonominë e tufës dhe paguani për çdo tufë delesh e lopësh që vlen ekonomikisht. 4 lopë e lart dalin rentabël. Analizoni ekonominë e tufave të prodhimit të mishit dhe nisni e paguani për to se vajti kg i mishit të viçit 8 mijë lekë në Lushnje, 11 mijë i qingjit, i derrit 6 mijë. Fitoni kohën.
-Paguani për serën e bërë jo për atë që do bëhet më tutje. E di që nuk jeni ju përgjegjësja por duhet ndryshuar medeomos skema e TVSh-së në prodhim, grumbullim e përpunim. Nuk po ju kërkoj eksportet. Përndryshe jo informaliteti do të kërcasë siç po kërcet dhe ata njerëz janë në rrezik që zyrtari i parë shqiptar t'ju trokasë në derë dhe tu tundë prangat se janë në shkelje të ligjit për shkakun tonë, por në krahun tjetër do të vazhdojë skema e zhvatjes së fermerëve në një transaksion të padokumentuar kurrë e përfitimit maksimal të disa grumbulluesve abuzues që kontrollojnë tregun e çmimet.

