Kërcënoi me armë punëtorët e një firme ndërtimi, në pranga një 48-vjeçari në Tiranë. Sekuestrohet kallashnikovi

Një 48-vjeçar në Tiranë është arrestuar nga policia pasi ka kërcënuar me armë punëtorët e një firme ndërtimi.

Policia bën me dije se në pranga ka rënë shtetasi L. L., 48 vjeç, banues në Tufinë dhe akuzohet për veprat penale "Kanosja", "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit", dhe "Prishja e rendit dhe qetësisë publike".

"Ky shtetas, gjatë një konflikti për motive pronësie, në ambientet e një kompleksi, ka kanosur me armë zjarri, punëtorët e një firme ndërtimi."-njofton policia. 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë zjarri kallashnikov.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.