“Blu energy call“ Call center-i që mashtronte gjermanët dhe u vidhte miliona. Një prokuror gjerman në Tiranë

Operacioni “Skema” çoi goditjen e një grupi që përmes call center kishin arritur të pëfitonin miliona dollarë. Qendra ishte në Tiranë ndërsa viktimat ishin edhe shtetas gjermanë.

Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Drejtues i Lartë Tonin Vocaj doli në një konferencë për të dhënë detaje të këtij operacioni që çoi në pranga 15 persona, 35 janë proceduar penalisht dhe shpallen në kërkim 23 shtetas të tjerë.

Veprimtaria kriminale e mashtrimit të shumë qytetarëve gjermanë duke përfituar prej tyre shuma të konsiderueshme parash kishte nisur në 2018

“Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se prej disa vitesh, një subjekt tregtar nën emërtimin “Blu energy call“ zhvillonte aktivitetin e tij në fushën e qendrave së thirrjeve telefonike ose siç njhet në vendin tonë “call center“. Nga bashkëpunimi i ngushtë me partnerët gjermanë u arrit të evidentoheshin viktima të kësaj veprimtarie kriminale jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Hetimet intensive prej disa muajsh të zhvilluara në vendin tonë bënë të mundur identifikimin e drejtuesve të këtij subjekti, skemën e funksionimit, si dhe fushën e bashkëpunimit të personave që merreshin me këtë aktivitet kriminal” tha zyrtari i policisë

Gjatë operacionit u kontrolluan 8 ambjente në të cilat ushtrohej aktiviteti kriminal në fushën e krimeve kibernetike, në ekzekutim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë.

Një prokuror gjerman pjesë e hetimit

Në kryerjen e operacionit policor morën pjesë dhe organet ligjzbatuese gjermane, nën drejtimin e Prokurorit të ardhur nga Republika Federale Gjermane dhe një skuadre të strukturave të hetimit kibernetik.  

“Gjithashtu, deri më tani janë identifikuar të dhënat personale të shumë shtetasve të huaj të cilat janë përdorur për t‘i kontaktuar dhe më pas t‘i tërhiqnin drejt skemës së mashtrimit kompjuterik duke përfituar shuma të ndryshme vlerash monetare. Personat e kontaktuar ndodhen në shtete të ndryshme të botës”

 Të arrestuarit

 •     U ndaluan 15 shtetas të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. 

•     U proceduan në gjendje të lirë 35 shtetas.

•     U shpallën në kërkim 21 shtetas të tjerë.

Shtetasit e mësipërm u proceduan për veprën penale “Mashtrim Kompjuterik”,  kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar bga nenet 143/b/1, 333/a, 334 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 200 pajisje kompjuterike, 120 pajisje të telefonisë Voip, 1 laptop, 70 telefona të lëvizshëm, USB, karta të ndryshme, dokumentacione etj.

Operacioni nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese gjermane, nën drejtimin e SPAK-ut.

Njësia e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në bazë të zbatimit të letërporosisë së ardhur nga organet ligjzbatuese gjermane, nën drejtimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe me partnerët e saj gjermanë, ka filluar hetimet në lidhje me një aktivitet kriminal në fushën e “Mashtrimit kompjuterik“ e cila kishte të bënte me platformat elektronike mashtruese “BrokerZ” dhe “Globalix” nga viti 2018 e në vazhdim ka kryer mashtrimin e shumë qytetarëve gjermanë, duke përfituar prej tyre shuma të konsiderueshme parash.

  Nga ana e Njësisë C - Hetimi i Krimit Kibernetik, nën drejtimin e Prokurorisë se Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po vazhdojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal.