"Më mirë me qira sesa të blej, ta merr tjetri" Ndërhyrja e policisë në banesat e "5 Majit", qytetarët: E padrejtë, punojmë tërë jetën për një shtëpi
Shembja e banesave të lagjes "5 Maji" në Tiranë në kuadër të projektit të rindërtimit po zhvillohet mes tensionesh dhe përplasjesh midis qytetarëve dhe policisë bashkiake, e cila hyri ditën e djeshme me dhunë në disa shtëpi që ishin planifikuar të shembeshin, pasi banorët refuzonin të linin shtëpinë.
Por çfarë mendojnë qytetarët për ndërhyrjen e policisë në shtëpitë e banorëve të "5 Majit"? Kjo ishte tema e rubrikës Vox Pop me Enkin në emisionin "Ditë e Re" në ekranin e RTV Ora.
Qytetarët shprehen se ndërhyrja me forcë e policisë në banesa është e papranueshme. Ata thonë se shqiptarët dhe e gjithë bota punojnë për të ndërtuar një shtëpi, dhe nëse dikush i cënon pasurinë atëherë normalisht që qytetarët nuk do rrinë duarkryq.
"Më mirë jetoj me qira se sa të blej shtëpi", thotë një qytetar, duke thënë se në periudhën ku jetojmë mund të shfaqet një pronar papritur dhe të kërkojë shtëpinë e tij.
Disa nga përgjigjet:
"Jetoj me qira. Kështu si ka ardhur koha më mirë të rrish shtëpi me qira se sa të blesh shtëpi, sepse ta merr tjetri. Nuk kam problem me asnjë pronar. Boll kemi ngrënë gola në shqiptarët."
"Shumë e padrejtë. Kërkojnë djersën e tyre, për mua edhe policia është e politizuar. Çdo njeri në të gjithë botën punon për një makinë të mirë, shtëpi, punë të mirë. Nëse do më ndodhte mua, do e mbroja shtëpinë me gjakun tim."
"Turp i madh, nuk e di si do zgjidhet."
"Maskaradë e turpshme e Erion Veliaj, që nuk po ngopet duke e shfrytëzuar popullin."

