Kthjellime dhe rritje temperaturash, si paraqitet moti për sot
Kushtet e qëndrueshme atmosferike sjellin dominim të kthjellimeve në të gjithë territorin gjatë orëve të para të ditës.
Por në orët vijuese do të ketë shfaqje të vranësirave të lehta në zonat e ulëta si edhe malore përgjatë shtrirjes Lindore, duke e lënë bregdetin në ndikimin e motit të kthjellët.
Temperaturat e ajrit do te rriten ndjeshëm në mëngjes dhe mesditë duke luhatur vlerat ditore nga -2°C deri në 15°C, sipas Meteoalb.
Era do fryjë e lehte në tokë dhe në det me shpejtësi 28 km/h nga drejtimi Perëndimor – Veriperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim të ulët.
Rajoni dhe Europa
Një qendër e fuqishme ciklonare e zhvilluar përkatësisht në veri-verilindje të kontinentit do të diktojë në Europën Veriore dhe Lindore reshje të dendura dëborë dhe temperatura të ulëta.
Po ashtu me vranësira të shpeshta të cilat do të gjenerojnë reshje shiu e dëbore paraqitet pjesërish Europa Qendrore ndërsa pothuajse e gjithë pjesa tjetër e kontinentit do të karakterizohet nga masa ajrore të qëndrueshme duke diktuar mot të kthjellët dhe të ngrohtë.
