"Ekskursionet e deputetëve të panevojshme", Kryemadhi: SPAK të sekuestrojë incineratorët e Fierit dhe Tiranës
Nga OraNews Përditësimi i fundit 9 Shkurt 2022, 21:03
Duke komentuar inspektimet e deputetëve të Komisionit Hetimor të inceneratorëve në impiantet e djegies së plehrave në Fier dhe Elbasan, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u referohet si ekskursione, të cilat sipas saj nuk ndihmojnë në zbardhjen e së vërtetës.
Kryemadhi thekson se dokumentet që ka ka bërë publike LSI-ja dhe që i ka dërguar në SPAK, nuk gjenden në muret e kapanoneve të inceneratorëve, por në letrat e procedurave që ndiqen.
Sipas kryetares së LSI, e njejta sekuestro preventive që është zbatuar nga SPAK për rastin e Elbasanit, duhet të zbatohet pa humbur kohë edhe për 2 të tjerët.
"Inceneratori i Fierit dhe ai i Tiranës duhet të ishin prej kohësh të bllokuar, ashtu siç duhet të ishin bllokuar edhe pagesat e qeverisë për to".
