Policët bashkiakë penguan gazetaren Musai në detyrë, “RTV ORA” kërkon hetimin dhe ndëshkimin e autorëve

Policët bashkiakë të Tiranës dhe forcat e rendit dhunuan gazetaren e RTV ORA Sonila Musai gjatë transmetimit live të aksionit të shembjeve të banesave që nisi që në orët e para të mëngjesit në zonën e "5 Majit." Veç ndërhyrjeve të dhunshme efektivat e bashkisë ndërprenë transmetimin live dhe dëmtuan pajisjet e gazetares e cila ishte pajisur me uniformë me logo të dukshme si punonjëse e medies. RTV ORA dënon me forcë këtë incident që cenon lirinë e medies dhe pengon transparencën me publikun duke bërë thirrje për hetimin e ndëshkimin e tij sipas ligjit. 

Pengimi i gazetarëve në kryerjen e detyrës së tyre, pa ndërhyrë në situata të ndryshme dhe pa u bërë palë është kthyer në sport. Ajo që ndodhi në orët e para të së mërkurës, 8 shkurt në zonën e "5 Majit" është një tjetër situatë e papranueshme.

Gazetarja Sonila Musai ka ndjekur herët në mëngjes shembjen e banesave në këtë zonë.

E vendosur në një nga banesat pamjet duken qartë se ishte e distancuar nga familjarët dhe me celularin e saj po transmetonte live të gjithë ndërhyrjen.

Në mënyrë të papranueshme edhe pse kishte jo vetëm dokumentin, por edhe veshjen ku tregohet qartë logo e televizionit, edhe pse u ka bërë të ditur se është gazetare i është kërkuar të largohet edhe pse nuk kishte skemë krimi, por në një anë policia që kërkon të largojë personat që jetonin në këtë banesë, e në anën tjetër familjarët që kërkojnë kontratë të rregullt në respekt të pronës së tyre.

Edhe pse gazetarja nuk ka ndërhyrë në asnjë moment efektivët i kërkojnë të largohet duke e penguar të ushtrojë detyrën.

Ashtu si do të vepronte çdo gazetar, edhe pse nuk duhej të largohej, gazetarja pranon të dalë nga banesa por duke vazhduar filmimin.

Në mënyrë absurde një efektiv i policisë bashkiake të kryeqytetit tërheq gazetaren duke i mbyllur telefonin në transmetim live madje duke ia hedhur dhe dëmtuar pajisjen.

Dhunimi i gazetares ka vazhduar edhe jashtë banesës ku nuk kishte më asnjë rrezik, por mesa duket inati dhe qëndrimi subjektiv i punonjësve me uniform vazhdonte.

Dukshëm bashkia e Tiranës dhe policia kanë frikë nga transmetimi i  ngjarjes dhe zhvillimeve aty ku ngjarja ndodh dhe ashtu si ndodh pa asnjë censurë. Ky qëndrim agresiv duket se i  që bën ta konsiderojnë medien të papranueshme.

Televizioni dënon këto forma të sjelljes që duhet thënë nuk janë të parat.

I njëjti veprim u pa dhe ndaj operatorit të një televizioni në protestën para bashkisë.

E njëjta sjellje u demonstrua edhe në protestën e 8 janarit në oborrin e selisë së PD.

E po ashtu dhe në protestën që u zhvilluan pas vrasjes së Klodian Rashës. E njëjta sjellje dhe kur gazetarët i afrohen Erion Veliajt.

Televizioni do të kërkojë dënimin e të gjithë personave që dhunojnë medien dhe apelon ndalimin e sjelljeve të tilla që synojnë censurimin e pamjeve dhe transmetimit të lajmit ashtu si ndodh dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Policët bashkiakë penguan gazetaren Musai në detyrë,
Gazetarja e ORA News Sonila Musai