"Berlini, Roma e Tirana do ishin gërmadha", Robelli: Ambasadori gjerman u ngut për Xhafer Devën, nuk shkruhet historia me 240 shkronja
Analisti i njohur kosovar, Enver Robelli, nuk e sheh të udhës reagimin e ambasadorit gjerman për figurën e Xhafer Devës dhe kërkesën e tij për ndërprerjen e restaurimit të shtëpisë së tij në Mitrovicë.
Por po kaq në faj gjen dhe autoritetet e Kosovës që e kanë kondicionuar objektin vetëm në pronësi të tij kur në 72 vite ekzistencë ajo ka shërbyer edhe si spital dhe strehimore.
Robelli: Mendoj se reagimi i ambasadorit gjerman ishte i ngutshëm. Ky është pak problem edhe i mediave digjitale ku ambasadori mendon se mund ta shkruajë historinë me 240 shkronja. Ishte problem reagimi i Ambasadorit. Nuk ka treguar se në çfarë burimesh bazohet kur ka parashtruar kërkesën për ndërprerjen e punimeve në ndërtesë. Por edhe autoritetet e Kosovës kanë gabuar kur në mënyrë këmbëngulëse kanë theksuar se po rindërtohet, po restaurohet shtëpia e Xhafer Devës. Ajo shtëpi për 72 vite që ekziston, 15 vite ka qenë shtëpia e Xhafer Devës më pas ka qenë klinikë, strehimore për të pastrehët. Ndërtesa duhej të ndërtohej për çfarë ka qenë gjatë gjithë kohës dhe jo të reduktohej në pronësinë e Xhafer Devës. Natyrisht që njerëzit në Mitrovicë e njohin dhe si shtëpia e Xhafer Devës.
Përkundër polemika, Robelli për Rtv Ora thotë se deri në sqarimin e çështjes punimet duhet të ndalojnë.
Robelli: Derisa sa të sqarohet çështja sesi do të vazhdojë qeveria e Kosovës duhet të ndërpresë restaurimin dhe në bashkëpunim me specialistë dhe organizata hebraike të sqarohet kjo çështje. Reagimi është irracional.Me argumentin se nuk duhet të restaurohet një objekt, Berlini, Roma dhe me siguri dhe gjysma e Tiranës do të ishin gërmadha për shkak se aty kanë lënë gjurmë arkitektë nazistë, fashistë.Por problemi është te pala kosovare, në disa qytete të Kosovës ka rrugë me emrin e Xhafer Devës.
Duke analizuar figurën e Xhafer Devës, Robelli duke cituar një historiane zvicerane thotë se ka akuza ndaj tij se ka dorëzuar edhe hebrenj te nazistët.
Robelli: Sa i përket figurës së Xhafer Devës, a ishte nazist? Jo nuk ishte nazist.A ishte kolaboracionist, bashkëpunëtor i nazistëve? Po. A ishte informator i nazistëve? Po. A ishte mik i ngushtë me nazistët gjermanë? Po. A ka dorëzuar komunistë të vërtetë apo të shpikur prej tij te gjermanët? Po. Ka akuza se ka dorëzuar dhe hebrenj, këtë po e thotë historiania zvicerane Franciska Caug që ka doktoruar në këtë temë, ka shkruar për divizionin Skëndërbeu. Sa i përket këtij divizioni, pala shqiptare i kanë premtuar palës naziste se do të sigurojnë deri në 150 mijë vullnetarë që do luftojnë në krah të nazizmit, nuk kanë arritur ti bëjnë as 7 mijë, disa thotë as 5 mijë. As 6 muaj nuk ka qëndruar në këmbë ky divizion.
Në terësi, analisti kosovar thotë se çështja është shumë banale.
Robelli: Ambasadori gjerman ka parë një postim të UNDP që do të ndihmonte në restaurimin e objektit, po restaurohet shtëpia e Xhafer Devës. Është futur pak në internet dhe ka parë se ka qenë bashkëpunëtor i nazizmit dhe ka bërë një postim të ngutshëm. Por rrugën drejt këtij keqkuptimi e kanë hapur dhe institucionet e Kosovës.
