"Dimri i fundit" në Lazarat: 62 vjeçarit i gjejnë pajisje gati për shtëpinë e barit
Një shtëpi bari dyshohet se po bëhej gati në Lazarat të Gjirokastrës, fshat që deri pak vite më parë njihej për kultivimin masiv të bimëve narkotike.
Maliq Skënderi, 62-vjeç u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Last Winter”.
Në banesën e tij blutë gjetën pajisje të ndryshme që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Konkretisht 26 përforcues energjie elektrike, 2 filtra që shërbejnë për pastrimin e ajrit, 7 tuba që shërbejnë për ventilimin e ajrit, llamba dhe projektorë që shërbejnë për transferim nxehtësie, 4 ngrohëse me gaz dhe pajisje të tjera elektrike.
Dyshimet janë se këto pajisje do të përdoreshin për ngritjen e një laboratori për rritjen e bimëve narkotike me ngrohje, çka përforcohet nga fakti se në banesën e 62-vjeçarit u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Gjatë kontrollit j u sekuestruan dhe 2 pistoleta, 10 krehra, 157 fishekë dhe pajisje që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Ndaj 62 vjeçarit Maliq Skënderi u ngritën akuzat “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Përdorimi i paligjshëm i teknologjisë së lartë” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Aksionet e policisë së Shtetit kanë konfirmuar se shtëpitë e barit janë kthyer në metodën me të përdorur për kultivimin e bimëve narkotike, krahas skemës me parcela të vogla në zonat e thella malore.
