Dibër/ Lojëra fati të paligjshme në lokal, arrestohet pronari në Maqellarë dhe punonjësi

Policia e Dibrës ka vënë në pranga pronarin e një lokali në Maqellarë i cili kishte vënë në dispozicion ambientin për ushtrimin e lojërave të paligjshme të fatit. Gjithashtu në pranga ka rënë dhe punonjësi i lokalit.

Sipas bluve të Dibrës pas kontrollit të ushtruar në lokalin në pronësi të Sh.T me punonjës shtetasin F. Z., u gjetën e sekuestruan 5 pajisje elektronike në gjendje pune të cilat përdoreshin për lojëra fati.

"Në përfundim të veprimeve hetimore nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, arrestuan në flagrancë pronarin e lokalit shtetasin Sh. T., 55 vjeç, banues në Maqellarë, për veprat penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara", "Moskallzim Krimi" dhe shtetasin F. Z., 54 vjeç, banues në Maqellarë për veprën penale "Organizim i llotarive të palejuara".

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.