"Shqipëria lexon", fushata do të zhvendoset në çdo fshat, shkollë dhe në kopshtet e gjithë vendit

‘Lexo me mua’ është kjo moto që çeli fushatën e Leximit “Shqipëria Lexon” nga Qendra kombëtare e librit dhe leximit. Leximi e bën jetën më të bukur, më të lumtur dhe sa herë që një njeri lexon i duket sikur zbulon një aftësi tjetër që ai  ka sepse të lexosh do të thotë të jesh i pasur.

Të ftuar në studion e “Jeto me Orën” ishin shkrimtari Dionis Prifti dhe Alda Bardhyli, organizatore e fushatës të cilët treguan më tepër për këtë fushatë të veçantë dedikuar librit.

“Fushata të tilla janë bërë në mënyrë të herë pas hershme nga Ministria e Kulturës por këtë herë po zhvillohet nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit e cila e ka pjesë të politikës dhe filozofisë rëndësinë që ka leximi dhe ne vitin 2022 e kemi shpallur si vitin e leximit. Aktivitete tona kanë filluar nga Tirana e më pas do të shtrihen të në gjithë vendin për të folur për rëndësinë që ka leximi për edukimin, për vazhdimiësinë, për shoqërinë dhe për një komb më të mirë nesër. 

Të lexosh do të thotë të vraposh drejt lirisë shpirtërore për të cilën çdo njeri ka nevojë.

Leximi na bën të reflektojmë,të kuptojmë më mirë të djeshmen dhe të duam të ardhmen, të udhëtojmë në vendet e të gjithë botës të çilat na lënë një ndjesi të papërshkrueshme. Të lexosh do të thotë të besosh në mundësi të dyta në momentin që një njeri ka humbur shpresat. Leximi dhe vetëm leximi është mënyra e vetme drejt edukimit. ” u shpreh Bardhyli.

Edhe shkrimtari Dionis Prifti tregoi se kjo fushatë ka një rëndësi të madhe për vendin tonë.

“Fushata është shumë e domosdoshme dhe është pritur mjaft mirë nga të gjithë. Mendoj se na duket ky kthim në libër për t’u shkëputur pak nga kjo marramendja elektronike. Por unë nuk jam pesimist që jeta online po na shkatërron, mendoj se po bëjm progres të mirë” u shpreh shkrimtari.

Bardhyli tregoi se teknologjia do të jetë gjithmonë një sifidë. 

“Teknologjia do të jetë gjithmonë një sfidë për të ardhmen por mendoj se për të gjithë ata që e duan librin letër mendoj se tashëm e kam një përgjigje pasi libri letër është i pazevendësueshëm dhe gjithmonë do t’i mbijetoj kohërave” u shpreh ajo.

Ajo tregoi më tej se fushata do të zhvendoset gjerësisht në çdo fshat, shkollë, kopështe në të gjithë vendin për të shtyrë të rinjtë drejt leximit.

“Fushata do të zhvendoset gjerësisht në çdo fshat, shkollë, kopshte në të gjithë vendin për të shtyrë të rinjtë drejt leximit.

Këtë fundjavë do të jemi në qytetin e Shkodrës, synimi jonë janë të rinjtë. Do jenë një mori aktivitetesh, pasi fushata nisi në janar dhe do të përfundoj në muajin dhjetor të këtij viti” u shpreh Bardhyli.

Ajo tregoi se më e mira do të ishte një ligj për leximin gjithashtu edhe pasurimi i çdo biblioteke në qytete dhe shkolla. Kordinatorja e fushatës dha edhe disa këshilla sesi të rinjtë të shkojnë më tepër drejt librit.

“Marrëdhënia me librin fillon që në fëmijëri ndaj prindërit duhet t’jua kultivojnë këtë traditë fëmijëve të tyre. Por mendoj se për të shkuar më afër librit është mirë të bëni një listë me librat tuaj të preferuar dhe t’i vendosi një qëllim vetes” përfundoi Bardhyli.