Shembjet te “5 Maji”, Bogdani: Shteti arrogant me qytetarët, s’mund të nxirren banorët në rrugë në mes të dimrit
Ish-deputeti i PD Gerti Bogdani, teksa ka komentuar situatën e krijuar ditën e sotme në zonën “5 Maji”, ku pati tensione mes banorëve dhe qytetarëve, tha se kjo e fundi nuk është polici e shtetit por e pushtetit pasi sipas tij nuk është në funksion të qytetarëve.
Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj, tha se shteti po tregohet arrogant me qytetarët e vet.
Gerti Bogdani: Ajo që ndodhi sot në zonën 5 maj kohët e fundit ka ndodhur në shumë zona të kryeqytetit dhe në shumë lagje të Tiranës. Ajo që pamë sot nuk është mënjë polici e shtetit sepse nuk është në funksion të qytetarëve, por është një polici e pushtetit, është një polici bashkiake, një polici që shkon dhe nxjerrë nga shtëpitë gra, nëna, në mes të rrugës në mes të dimrit.
Sot është arroganca e shtetit, kundër qytetarëve të vet në funksion të pushtetit, për të pasuruar veten e vet dhe oligarkët. Ky është realiteti dhe pasqyra që ndodhi sot.
Ndër të tjera theksoi se në një shtet normal nuk mund ta nxjerrësh qytetarin në mes të rrugës deri sa të mbarojë ndërtimi.
Gerti Bogdani: Në një shtet normal nuk mund ta nxjerrësh qytetarin pa asnjë copëletër, dhe duke e hedhur në mes të 4 rrugëve deri sa të mbarojë ndërtimi. Ajo që shohim sot në zonën “5 Maj” dhe në lagje të tjera të Tiranës është zaptimi i pronës nga shteti. Ato pallate që do ndërtohen do paguhen nga Bashkia dhe më pas do të shiten me çmim tregu. Bashkia sot bëhet pronare e një diçkaje që nuk ështëpronë e saj. Duke bërë këtë është duke shkelur ligjet, dhe duke nxjerrë familjet në rrugë. E gjitha e mbuluarnë petkun e rindërtimit.
