Ambasadori italian, Fabrizio Bucci: Shqipëria si Siçilia e viteve 1990. Mafia merret e mirëqënë si dielli, deti 

Ambasadori italian  Fabrizio Bucci,  vëren se shqiptarët e shohin si natyrale korrupsionin, ndaj nga Shkodra u kërkoi studentëve të reagojnë  .

“Një shqetësim që kam evidentuar në komunikim me miqtë e mi shqiptarë është se në disa raste në Shqipëri korrupsioni konsiderohet si diçka natyrale. Kur del një lajm që është arrestuar dikush se ka marrë rryshfet për të ndërtuar një rrugë njerëzit duke mos ditur thonë: Po të paktën rruga është bërë mirë. Merret si e mirëqenë korrupsioni. Kur flitet për korrupsionin më kujtohet ajo çfarë ndodhte në Itali 30 vite më parë.  30 vite më parë mafia vrau dy gjyqtarët, Falcone e Borsellino.

Pse është i rëndësishëm ai moment. Sepse deri në atë moment në Siçili mafia konsiderohej si diçka normale. Si dielli, deti, pushimet, ishte dhe mafia. 30 vite më parë mafia vrau dy gjyqtarët, Falcone e Borselino,” kujtoi ambasadori në takimin me temë “Europa, Italia dhe Shqipëria, marrëdhëniet dhe prespektivat”.

Solli si shembull Siçilinë e viteve 1990 kur sundonte mafia dhe si pas vrasjes së Falcones dhe Borsellinos njerëzit i thanë stop.  

Fabrizio Bucci: “Ky ishte momenti kur mafia nisi të humbë. Kur ishte një lëvizje popullore, dhe njerëzit thanë Stop! Në atë moment mafia nisi të humbte. Pse e jap këtë shembull. Sepse edhe kur këtu në Shqipëri njerëzit do të thonë mjaft me korrupsionin atëherë korrupsioni do të mundet. Lufta kundër korrupsionit është akt individual përpara se të jetë fenomen në polici, prokurori e gjykatë. Mbi të gjitha është një fenomen kulturor.  Na takon ne, çdo qytetar, çdo student që ti thotë Jo! Sepse nëse shoqëria përbëhet nga shumë individë të ndershëm që refuzojnë korrupsionin atëherë në atë moment korrupsioni është i mundur”

Ambasadori garantoi se Italia do të jetë gjithmonë në krah të Shqipërisë dhe për refomën në drejtësi, për të cilën edhe Brukseli po e mban në vëzhgim.

Fabrizio Bucci: “Janë shumë kantiere të hapura, por më kryesorja është reforma në drejtësi. Ajo është thelbësore, pasi Brukseli e mban më së shumti në vëzhgim. Mbi të vlerësohen hapat konkret të ecjes së vendit.

 Të kesh një drejtësi që funksionon, do të thotë se ke nje instrument të fortë në duar përballë korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kjo reformë është shumë e rëndësishme për vendin, pasi një drejtësi që funksionon jep siguri për sipërmarrjet dhe investitorët që duan të vijnë të investojnë në Shqipëri.”

Vrasja qe beri kthesen 

Më 23 maj 1992 në Siçili, Itali; Gjykatësi më i njohur italian i anti-mafias, Giovanni Falcone, gruaja e tij dhe tre truprojat vriten nga klani i Cosa Nostra-s Korleonesi me një bombë prej gjysmë ton lëndë shpërthyese.

Miku dhe kolegu i tij, Paolo Borsellino do të vritej më pak se dy muaj më vonë, duke e bërë vitin 1992 një pikë kthese në ndjekjen penale të mafias italiane.