Përplasja e policisë dhe pronarëve në Vlorë / Meta: E pajustifikuar, dialogu ofron mundësi zgjidhjeje

Presidenti Ilir Meta, ka reaguar në lidhje me protestat e bizneseve në Vlorë, ku mes protestuesve dhe policisë pati dhe dhunë fizike.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, kreu i shtetit thotë se dhuna ndaj sipërmarrësve dhe qytetarëve është e pajustifikuar, teksa shton se protestat paqësore janë një e drejtë, që garantohet nga Kushtetuta.

Postimi i plotë:

"Duke ndjekur me vëmendje dhe vlerësuar situatën shqetësuese të krijuar mbrëmë në Vlorë, i bëj thirrje Policisë së Shtetit, autoriteteve dhe institucioneve përgjegjëse të dëshmojnë ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë e duhur në adresimin e çështjeve, që shqetësojnë biznesin, në përputhje me kuadrin ligjor.

Protestat paqësore janë një e drejtë, që garantohet nga Kushtetuta.

Dhuna e pajustifikuar dhe shporporcionale ndaj sipërmarrësve dhe qytetarëve, në veçanti ndaj grave dhe vajzave është e papranueshme dhe e dënueshme.

Jo arroganca dhe arbitrariteti, por dialogu i sinqert dhe bashkëpunimi i ofruar nga shteti ofrojnë patjetër mundësi për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme.

Kurrsesi Vlora nuk e meriton një trajtim të tillë!"

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, ku policia u përplas me pronarët e lokaleve të cilët protestonin për orarin e kufizimit të muzikës në kuadër të masave anti-Covid.