Kreu i IMT iu shmang hetimit, Mariglen Qato nuk u paraqit në prokurori, pretendoi se ishte sëmurë
Prokuroria e Tiranës akuzon Kreun e Inspektoratit të Mbrojtjes së Teritorit në bashkinë e Tiranës, Mariglen Qato se i është shmangur hetimit. Gjatë kohës që hetohej për ndërtimin pa leje në tarracën e një pallati 5-katësh në Tiranë, prokuroria ka kërkuar paraqitjen e Qatos disa herë, por ai ka dërguar raport mjekësor, me pretendimin se nuk mund të jepte shpjegime. Në dosje prokuroria thekson se në kohën që ka pretenduar se ishte sëmurë, në fakt Mariglen Qato ka qenë në punë dhe këtë e tregojnë pamjet e kamerave të sigurisë në IMT e bashkisë Tiranë.
Kreu i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë e Tiranës, Mariglen Qato, për të cilin gjykata refuzoi kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës arrest me burg, duke vendosur vetëm detyrim paraqitje, rezulton se i është shmangur hetimit.
Pas nisjes së procedimit penal nga prokuroria e Tiranës në lidhje me shtesën e kryer nga shtetasi Klevis Bregu, administrator i pallatit 5-tësh me Nr.140, zyrtari i bashkisë është thirrur për të dhënë shpjegime, por ka refuzuar të paraqitet.
Objekti i hetimit lidhej me faktin se personi që ka kryer punimet kishte marrë një leje paraprake për meremetimin e çatisë, por e ka tejkaluar objektin e saj duke ndërtuar një apartament shtesë, mbi tarracën e pallatit 5 katësh.
Kjo shtesë jo vetëm që nuk është prishur nga IMT e bashkisë së Tiranës e drejtuar nga mariglen qato, por për më keq, është ndërtuar pikërisht në dijeninë e zyrtarëve të bashkisë pas dy denoncimeve të bëra për rastin në polici.
Ndër të tjera thotë prokuroria, kreu i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Mariglen Qato, është thirrur disa herë në prokurori, madje është kërkuar shoqërimi i tij në cilësinë e personit nën hetim.
Por kreu i IMT në bashkinë e Tiranës ka refuzuar të paraqitet në prokurori, duke dërguar një raport mjekësor nga data 7 qershor 2021 deri në datën 9 qershor 2021. Këtë mekanizëm e ka përsëritur sërish nga data 9 qershor 2021 deri më datën 21 qershor 2021, duke pretenduar për gjendjen të rënduar të shëndetit…”-thotë prokuroria.
Ndërkohë nga këqyrja e kamerave të sigurisë në ambientet e IMT-së dhe policisë Bashkiake në Tiranë, rezultoi se Mariglen Qato në datat 7, 8 dhe 9 qershor 2021 është paraqitur në punë, duke qëndruar për disa orë.
Prokuroria shkruan në dosje se pamjet kanë provuar faktin, se Mariglen Qato ndonëse i veshur me funksionin publik, me dashje dhe në mënyrë të përsëritur i është shmangur paraqitjes në organin e prokurorisë dhe në tërësi vënies së tij në dispozicion të hetimit.
Nisur nga kjo situatë, prokuroria e Tiranës ka kërkuar në gjykatë caktimin e masës së arrestit në burg për Mariglen Qaton, dy inspektorët Landro Lamani dhe Adrian Çaushaj si dhe Klevis Bregu.
Gjyqtari i çështjes, Albert Meçe, refuzoi të pranojë kërkesën e prokurorisë duke caktuar për tre zyrtarët e IMT-së, masën e “Detyrimit për tu paraqitur në prokurori” dhe masën e “arrestit në shtëpi” për Klevis Bregun. Ky vendim është apeluar nga prokuroria, e cila kërkon masën arrest me burg ndaj katër të pandehurve.

