Kuvendi/ Lami: Ishte zhgënjim, vendosi në një pikëpyetje të madhe PD-në, nuk sheshoi keqkuptimet

I ftuar në edicionin e lajmeve të RTV Ora, pedagogu Roland Lami, ka komentuar Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike që u zhvilluar të shtunën (17 Korrik).

Sipas tij, ky Kuvend duhet të reflektonte, teksa shton se nëse PD do të vazhdojë me këtë qasje, nuk do të jetë e mjaftueshme që të sigurojë vota për të ardhur në pushtete.

"Çdo aktivitet që merr opozita përbën interes publik pasi shihet si i vetmi mekanizëm që mund të gjykojë më tej mënyrën se si qeveriset mandati i tretë nga ana e qeverisjes dhe të krijosh shansin e premisës për lidership pushteti për zgjedhjet e ardhshme. Në këtë kuptim, Kuvendi nuk është vetëm një interes i brendshëm dhe i ngushtë i anëtarësisë së PD, por është më i gjerë.

Me këtë Kuvend nga mënyra se si u organizua, se çfarë u vendos, gjykoj se kjo nuk i mjafton vetë PD dhe nuk i intereson pak më gjerë edhe  opinionit publik. Do të duhej që ky Kuvend, të reflektonte disa sinjale opinione, jashtë PD, siç janë akademikë, njerëz  që janë të interesuar për parametra demokratikë të vendit, në lidhje se si duhej të sillej PD, në këtë Kuvend. Nëse vazhdohet ende me këtë qasje, nuk është e mjaftueshme që PD, të sigurojë vota për të ardhur në pushtet."

Lami shton se ky Kuvend, ishte një zhgënjim, pasi nuk përmbushi pritshmëritë, jo vetëm të PD, por edhe të opinionit publik.

"Ka edhe njerëz të zhgënjyer,  të cilët e shikojnë, PD të ngjashme me PS. Nëse ne do e shohim se çfarë përmbushi ky Kuvend në raport me pritshmëritë, jo vetëm PD por edhe me gjerë, janë ato kritika që unë kam adresuar në statusin tim, por jo vetëm unë por edhe njerëz të tjerë. Ky Kuvend ishte një  zhgënjim në lidhje me ata që janë jashtë interesit ngushtë me PD."

Më tej, theksoi se  simbolika që u përdor në këtë Kuvend, nuk ishte hapje por një mbyllje e Partisë demokratike, pasi ky Kuvend sipas tij e përçau, këtë forcë politike.

"Hapja nuk është një proces që ndërtohet mekanikisht,  as nuk realizohet me deklarata por ndërtohet frymë, dhe ky Kuvend simbolikisht solli disa mesazhe që në kundërshti me atë çfarë deklarohet, atë se çfarë mendohet, ato lëvizje që ndodhën në disa hallka të caktuara të PD në lidhje me hapjen. Së pari fjala e Profesor Markut, na ndihmoi të kuptojmë se sa herezi është brenda PD të kesh një opinion ndryshe nga estabishmet i PD.

Së dyti, njerëz të cilët kanë pasur një mendim ndryshe brenda Partisë demokratike, por gjykoj se numri 2 i PD, sot është jashtë strukturave të saj. Kjo flet me një sinjal hapje apo sinjal mbyllje, në raport me kritikët, apo në raport me meritat që kanë individë të caktuar brenda PD. Çfarë ndodhi me zonjën Harxhi? Nga shumica e delegatëve, u dha mesazhi, që ne nuk e pranojmë oinionin, mendimin, kritikën, e aq më shumë rivalitetin që të na zevëndësohet kryetari aktual që ne kemi.

Të gjitha këto hapa të tregojnë që simbolika që është përdorur në këtë Kuvend, nuk flet për një hapje po flet për një mbyllje të PD. Ky Kuvend nuk bashkoi, ky Kuvend më shumë ndau, ky Kuvend nuk shesheoi, keqkuptimet apo kritikat e Bashës, por i thelloi  ato.

Ky Kuvend nuk ndërtoi një familje të madhe, ku mund të jenë bashkë edhe rivalët. Edhe në 2017, qëndrimi që ka mbajtur Basha, ndaj figurave historike të PD, Topalli, Patosi, Imami, Bregu, e të tjerë, kam argumentuar se PD nuk e ka luksin që të jetë e fragmentarizuar dhe kapriçoze ndaj opinion, rival, kritiku që është ndaj Bashës . Historia e PD, ka treguar që vetëm bashkimi e bën të fortë dhe rivalizues ndaj PS.  Ky Kuvend ka vendosur një pikëpyetje të madhe në PD."

Intervistoi Xhoi Malësia, përgatiti për online Anila Kolgjini.