Komiteti Teknik i Ekspertëve i "bindet" Ramës: Një orë më shumë muzikë në bare e restorante

Komiteti Teknik i Ekspertëve zgjati me një orë muzikën në bare dhe restorante. Në mbledhjen e të hënës kjo ishte masa e vetme që ndryshoi, ndërsa të tjerat mbeten në fuqi si më parë. Autoritetet e shëndetësisë thanë se situata e pandemisë mbetet e qëndrueshme, ndërsa në spital po marrin trajtim vetëm 5 pacientë.

Muzika në bare e restorante do të jetë e lejuar deri në orën 23:00 të mbrëmjes.

Vendimi i marrë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve vjen pas kërkesave e protestave të vazhdueshme të pronarëve të bizneseve, veçanërisht të atyre që operojnë në zonat turistike.

Rakacolli: Komiteti Teknik i Ekspertëve propozon zgjatjen e lejuar të muzikës  nga 22 që e kemi pasur në 23. Masat e tjera vazhdojnë të mbeten në fuqi njëlloj siç kanë qenë më përpara.

Vendimit i parapriu kryeministri Edi Rama, në një reagim për protestën e bizneseve në Lungomare të Vlorës, duke deklaruar se nga 20 korriku muzika do të ndalohet pas orës 23:00, duke e zgjatur automatikisht me 1 orë nga aktualisht që është 22:00.

Në mbledhjen e të hënës, ekspertët e cilësuan të qëndrueshme situatën e pandemisë dhe përsëritën se varianti Delta i koronavirusit nuk është konstatuar ende në Shqipëri.

Fico: Numri i rasteve aktive është rritur, por mbetemi në një incidencë 5 për 100 mijë persona, të shtruar në spitale COVID janë 5 pacientë, nuk kemi persona në reanimacion, numri i vdekjeve ka qenë zero për ditë me radhë, ndërkohë që për raportin e fataliteteve mbetet në 9.1% ka edhe një rritje të lehtë të pozitivitetit të mostrës. Efekt ka dhënë edhe vaksinimi. Nuk kemi një përgjigje për variantin Delta, e rëndësishme që përtej vaksinimit duhet të shohim me përparësi dhe të shohim masat e vendosura nga autoritete shëndetësore.

Në spitalin e vetëm Covid ndodhen të shtruar 5 pacientë, për të cilët mjeku Dhimitër Kraja, tha se janë në moshë madhore dhe nuk janë vaksinuar.

Kraja: Gjendja në spitalin COVID-1 është shumë e qetë. Ka 5 të shtruar që janë pozitivë dhe 2 të sëmurë të tjerë që janë me pneumoni, negativë nga COVID. Gjithsej 5 të sëmurë. Janë moshë e madhe, mbi 65 vjeç e sipër. Asnjë prej tyre nuk është i vaksinuar, as me një dozë as me dy doza vaksinash. Pra janë persona t virgjër nga pikëpamja e takimit me virusin apo vaksinën. Kjo situatë nuk është e rastësishme, përkon me atë periudhë që vjen pas vaksinimit dhe pas kohës që vaksinim jep efektet pozitive në drejtim të mbrojtjes së organizmit. Përkon kronologjikisht që përkon me etapën e pos-vaksinimit. Kjo është një shenjë e mirë. Vaksina në Shqipëri po funksion, janë efikase, janë mbrojtëse sepse edhe faktet janë që asnjë rast nuk është i vaksinuar dhe të jetë sëmurë më parë. Gjithashtu është interesante të thuhet se asnjë prej këtyre të sëmurëve nuk e kanë kaluar më parë COVID-19.

Mjekët iu bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë javën e hapur për t`u vaksinuar kundër Covid-19 dhe varianteve që janë në qarkullim, si dhe kërkuan respektimin e masave që mbeten në fuqi.