Ristrukturimi i PD-së, pritet të zgjidhet ekipin i ri deri në fund të muajt korrik

Deri në fund të muajt korrik, pritet që Partia Demokratike të zgjedhë nënkryetarët dhe sekretarët e rinj. Pasi zgjodhi Këshillin e ri Kombëtar, selia blu do të mbyllë procesin e ristrukturimit, ndërsa do ta shtrijë atë edhe në degë.

Pasi zgjodhi Këshillin e ri Kombëtar, Partia Demokratike do të nisë një fazë të dytë të ristrukturimet të saj.

Burimet i thanë Rtv Ora, se deri në fund të muajit kjo forcë politike do ti nënshtrohet një procesi zgjedhjesh në qendër për nënkryetarët dhe sekretarët e rinj. 

Javën e ardhshme pritet të mblidhet Këshilli i ri Kombëtar, ndërsa do të votojë për emrat e rinj që do të drejtojnë Partinë Demokratike për 4 vitet e ardhshme. 

Ende mbetet e pa qartë në qoftë se do të mbetet e njëjta strukturë në Partinë Demokratike apo do të shtohen karriget e nënkryetarëve dhe sekretarëve. 

Me mbylljen e zgjedhjeve në kupolën drejtuese, Partia Demokratike do ta nisë një fazë të dytë të analizës për humbjen e 25 prillit, duke e shtrirë atë në të gjitha degët e kësaj force politike.

Fokusi i analizës do të jenë problemet e brendshme, por dhe njohja në detaje me problematika të tjera apo instrument që ka përdorur kundërshtari politik.

Në bazë të kësaj analize pritet që të ketë edhe ndërhyrje në ristrukturimin e Partisë Demokratike në bazë.

Krahas ristrukturimit, Partia Demokratike po përgatitet për sesionin e ri parlamentar, ku pas 2 vitesh mungesë, në shtator pritet që të kthehet në Kuvend.

Lulzim Basha nga Kuvendi Kombëtar tha se PD do të depozitojë në parlament një projekt për ndryshime të thella kushtetuese, të cilat prekin dhe reformat kryesore duke nisur nga ndarja territoriale apo reforma zgjedhore.