Rreziku nga kafshët endacake në Shkodër, organizatat kërkojnë ashpërsim të ligjit për ata që i braktisin
Kafshët endacake janë kthyer në një shqetësim për qytetarët në qendrat e banuara, ndërkohë që krerët e institucioneve shtetërore dhe organizatave u takuan në Shkodër për gjetjen e një rrugëzgjidhje. Pas diskutimit u propozua shtimi i fushatave të sterilizimit dhe ashpërsim të ligjit për ata që braktisin kafshët.
Kafshët endacake dhe rreziku që ato paraqesin veçanërisht në qytete janë kthyer në një shqetësim jo vetëm për qytetarët por edhe për institucionet.
Prefektja, Majlinda Angoni, kërkoi një plan të mirëfilltë pune për ndërhyrje.
Majlinda Angoni: Ajo që është shqetësuese për ne në çeljen e sezonit turistik në qarkun e Shkodrës është prania në rrugë e qenve rrugaçë. Kërkojmë të ndërtojmë një strategji dhe plan afatgjatë për mbarëvajtjen e këtij fenomeni që është shumë shqetësues.
Tonin Deda: Krijimi i një strehëze për kafshët endacake aktualisht është e pamundur për shkak të numrit të madh të tyre në rrugë. Kostoja financiare është shumë e lartë për buxhetin e bashkisë Shkodër.
Organizata që prej vitit 2012 ju vjen në ndihmë kafshëve endacake në Shkodër thotë se ka kryer mbi 3 mijë sterilizime. Por propozimi i tyre është sterilizimi me fushata të gjëra dhe ashpërsim të ligjit për ata që braktisin kafshët.
"Është mëse e domosdoshme që bashkitë, qarku, qeveria të marrin përgjegjësitë ligjore që u takojnë për zgjidhjen e këtij problemi."
Dy kryebashkiakët, ai i Vau Dejësit dhe Malësisë së Madhe premtuan krijimin e një fondi të veçantë për vitin e ardhshëm.
Mark Babani: Përveç sterilizimit, vaksinimit dhe të gjithë këtyre masave të marra në drejtim sanitar të bëjmë të mundur dhe mbajtjen e këtyre kafshëve në stallat për mbajtjen e qenve.
Tonin Marinaj: Duhet të lëmë dhe buxhete për ta trajtuar si rast të rëndësishëm.
Shqetësimi më i madh për bashkinë Shkodër mbetet importi me furgonë i qenve endacakë nga bashkitë e tjera të vendit dhe zbarkimi në këtë territor.
Për disa raste të tilla mësohet se kanë nisur hetimet.

