Turizëm, protestë e dhunë, në Vlorë dhe Lezhë bizneset kundërshtojnë masat për ndaljen e muzikës
Bizneset në Vlorë kanë mbyllur qepenat në shenjë proteste të hënën duke kundërshtuar orën policore dhe orarin e ndaljes së muzikës. Kjo formë proteste erdhi pak orë pas një përplasje të dhunshme në këtë qytet mes bizneseve dhe policisë. Edhe në Lezhë bizneset kanë protestuar duke kërkuar shtyerjen e orës për muzikën dhe orës plicore. Ndaj këtyre protestave ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama duke thënë se nga data 20 korrik ora muzikore do të shtyhet deri në 23:00.
Për herë të parë pas marrjes së drejtimit të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, foli si mjek.
Leli: Është përcjellë në media problematika e shfaqur nga ju për orën policore. Kemi qenë në kontakt për çdo çezëm që prishet, për të gjithë ata që ju biznesin. Ju shpjegoj disa gjëra si mjek. I thashë një ekspertit të Komitetit Teknik shpjegojani njerëzve për muzikën me ze të lartë. Ju iu është krijuar ideja sikur virusi shpërndahet nga valët muzikore, Muzika me zë të lartë i detyron njerëzit të afrohen më shumë dhe të nxjerrin më shumë spërkla. Nuk e dimë nëse të gjithë vizitorët janë të shëndetshëm.
Deklarata e Kryebashkiakut vjen një ditë pas përplasjes së dhunshme të policisë dhe bizneseve në Vlorë, për orën policore.
Ish-socialisti u dha të drejtë bizneseve për kërkesat e tyre, por nuk u dha zgjidhje.
Leli: Për fat kryeministri ka dhënë fashën e re orare që është ora 11. Nuk është një gjë e vogël, është një orë më shumë. Ajo që bisedova me Vasil Bedinajn është të jemi të gjithë të mirëkuptuar. Skena që kam parë dje nuk është një gjë që na nderon. Jemi në kulmin e sezonit turistik. Këto janë ditët tona. Sa më shumë muzikë të ketë aq më shumë do bërtasim dhe krijojmë mundësi për të infektuar dikë që kemi përballë.Nuk e kemi zgjedhur këtë situatë. Duhet të përballemi me këtë situatë.
Para Lelit, duke mos komentuar skenat e dhunës së të dielës mbrëma, kreu i qeverisë Edi Rama tha se ajo që ndodh në Lungomare nuk është muzikë por ndotje akustike.
Rama: Siç është lajmëruar, nga data 20 korrik muzika do të ndalet në 23.00 në çdo zonë turistike të banuar dhe kush do të kërcejë e të këndojë tërë natën po të dojë, le të organizohet në natyrë, në pika ku nuk shqetëson njeri, si në tërë botën e civilizuar turistike.
Këto deklarata erdhën pas përplasjes së të dielës në mes të Vlorës.
Të hënën bizneset atje i ulën qepenat në shenjë proteste për zgjatjen e orarit të muzikës.
Edhe në Lezhë pronarët e zonës turistike dolën të hënën në protestë për orën policore dhe muzikën.
Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur tanimë që duke nisur nga data 20 korrik, ora muzikore shtyhet nga ora 10 e darkës deri në orën 11.
