Arrestohen 10 drejtues mjetesh, pezullohen 41 leje drejtimi dhe vendosen rreth 2 mijë gjoba
Dhjetë drejtues mjetesh, janë arrestuar gjatë 24 orëve të fundit, nga të cilët 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 4 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia bën me dije se anë pezulluar 41 leje drejtimi, nga të cilat 29 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara, që varionin nga 82 km/h në qendrat e banuara, 151 km/h në rrugën interurbane Tiranë-Elbasan deri në 153km/h në rrugën interurbane Durrës-Kavajë, dhe 12 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 1919 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për parakalime të gabuara, shpejtësi mbi normat e lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosrespektim të semaforit, mospërdorim të kaskës mbrojtëse dhe mosvendosje të rripit të sigurimit, si dhe për mosrregullim shpejtësie dhe manovra të rrezikshme në rrugë.
“Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor”- njofton më tej policia.

