Padi për “patronazhistët”, 162 qytetarë dhe qendra GUXO padisin në SPAK Partinë Socialiste

Partia Socialiste është kallëzuar penalisht në prokurorinë e posaçme nga 162 qytetarë në lidhje me databazën e të dhënave personale të përdorur në fushatë elektorale. Disa muaj pas publikimit të regjistrit të krijuar nga PS me adresat, numrat e telefonit dhe bizneset e qytetarëve, 162 nënshkruesit e padisë dhe qendra guxo, kërkojnë hetimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës për dëmin që u është shkaktuar shtetasve shqiptarë.

162 qytetarë të Tiranës, përfaqësuar nga organizata rinore GUXO, kanë paditur në SPAK, Partinë Socialiste dhe drejtuesit e saj për mbledhjen, përpunimin dhe përhapjen e paligjshme të të dhënave personale.

Pas dorëzimit të padisë Avokati Arlind Ahmetaj tha se kërkesa e 162 personave është dënimi i përgjegjësve, fshirja e të dhënave personale nga çdo server si dhe dëmshpërblimi për dëmin e shkaktuar nga databaza e krijuar prej partisë socialiste.

Ndërkohë vetë Prokuroria e Posaçme prej muajsh ka në dorë hetimin për nxjerrjen dhe publikimin e të dhënave personale të qytetarëve.

Hetimi nisi kryesisht pas publikimit nga mediat online të informacioneve që I përkasin afro 910 mijë qytetarëve të kryeqytetit ku krahas ID ishin shënuar edhe bindjet politike te gjithsecilit.

Prokuroria kërkoi sekuestrimin e serverit nga media që e publikoi po hasi në rezistencë të dy administratorëve të cilët nuk pranuan të dorëzojnë provën, madje në lidhje me këtë rast u shpreh edhe gjykata e Strasburgut.

Kjo e fundit kërkoi pezullimin e vendimit të gjykatës dhe anulimin e masës së sekuestrimit për pajisjet dhe serverat e medias.