Zbulohet shkaku zyrtar i vdekjes së Eric Dane

Shkaku zyrtar i vdekjes së aktorit të njohur Eric Dane është bërë publik.
Sipas certifikatës së vdekjes, aktori i serialit Grey’s Anatomy ka ndërruar jetë si pasojë e dështimit respirator. Dokumenti zyrtar konfirmon gjithashtu se shkaku themelor ishte skleroza laterale amiotrofike (ALS), një sëmundje progresive e sistemit nervor që prek qelizat nervore në tru dhe palcën kurrizore, duke çuar në humbje të kontrollit të muskujve.
Dane u nda nga jeta më 19 shkurt, vetëm 10 muaj pasi kishte bërë publik diagnozën e tij me ALS. Ai ishte 53 vjeç.
“Me zemra të thyera ndajmë lajmin se Eric Dane u nda nga jeta pas një beteje të guximshme me ALS,” deklaroi familja e tij në një reagim për media. Ata shtuan se gjatë përballjes me sëmundjen, aktori ishte bërë një zë i fortë për ndërgjegjësimin dhe kërkimet shkencore mbi ALS.
Eric kishte folur hapur për gjendjen e tij shëndetësore. Në një intervistë të qershorit 2025, ai tregoi se simptomat e para ishin dobësia në dorën e djathtë, të cilën fillimisht e kishte neglizhuar.
Me përkeqësimin e gjendjes, aktori u pa në publik duke përdorur karrige me rrota. Edhe pse vijoi të punonte për një periudhë, ai u detyrua të tërhiqej nga disa angazhime për shkak të komplikimeve.
Në momentin e ndarjes nga jeta, Dane ishte ende i martuar me bashkëshorten e tij, Rebecca Gayheart, me të cilën kishte dy vajza. Çifti ishte ndarë prej vitesh, por kishin anuluar zyrtarisht divorcin në mars 2025.

