Shpëtoi jetë në avion, flet mjeku “hero”! Kristo Papa rrëfen ngjarjen në bord: Bëra detyrën time! Gjithçka nisi nga...
Një ngjarje e pazakontë, por me përfundim të lumtur, ka ndodhur pak ditë më parë gjatë një fluturimi nga Tirana drejt Londrës.
Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe të përkushtuar të mjekut shqiptar Dr. Kristo Papa, u arrit të stabilizohej gjendja e një pasagjeri që pësoi shenja serioze shqetësimi shëndetësor në bord.
Situata krijoi tension dhe shqetësim mes udhëtarëve, por reagimi i menjëhershëm shmangu përkeqësimin e shtetasit shqiptar.
Kardiologu hero në një intervistë për “Ora News” rrëfeu ngjarjen në fjalë teksa tha se pasagjeri filloi të shfaqte simptoma të rënda.
“Unë bëra detyrën time si mjek dhe dhashë ndihmën e parë. Mes tyre lipotimi, marrje mendsh, të vjella, diarre, dhimbje abdominale, dobësi të përgjithshme dhe dhimbje koke. Stafi i avionit më kontaktoi dhe u paraqita dhe filluam duke dhënë ndihmën e parë tek pacienti.
U konsultuam me të dy pilotët pasi gjendja ishte jo e mirë e pacientit. Madje të dy pilotët ishin bërë gati për një ulje emergjente, pasi gjendja nuk dukej e stabilizuar.
Por gradualisht arritëm ta stabilizonim gjendjen e pacientetit dhe për 3 orë i kam qëndruar afër dhe kemi komunikuar me stafin e avionit në vazhdimësi për gjendjen, e po ashtu komunikuam me qendrën e Londrës që aeroporti të ketë ekipin e emergjencës gati në momentin që avioni do të ulej.
Nuk ishte një situatë e thjeshtë, por eksperienca dhe qetësia e reagimit solli dhe stabilizim të situatës.
Dhe kjo ngjarje shërben për një mesazh që kur njeri të mos ndjehet mirë nga ana shëndetësore duhet të mos e marrë përsipër udhëtimin”, u shpreh ndër të tjera mjeku Kristo Papa.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME MJEKUN KRISTO PAPA


