PAMJET/ Mister i ri kozmik, astronomët zbulojnë trupin qiellor që pulson

Astronomët kanë pikasur një trup mahnitës qiellor që lëshon valë të ndritshme radio dhe rreze X që zgjasin për 2 minuta dhe përsëriten çdo 44 minuta.
Kjo është hera e parë që rrezet e fuqishme X lidhen me një objekt që mund të jetë një transient afatgjatë. Astronomët e kanë vënë re për herë të parë në vitin 2022 këtë klasë të re trupash dhe deri më tani janë gjetur më pak se një duzinë.

“Transientët afatgjatë janë një klasë e identifikuar së fundmi e trupave qiellorë që lëshojnë sinjale të ndritshme valësh radioje çdo disa minuta deri në disa orë. Se çfarë janë këta trupa dhe sesi i prodhojnë sinjalet e tyre të pazakonta, mbetet një mister”, tha dr. Andy Wang nga Curtin Institute of Radio Astronomy në një email dërguar CNN.
Trupi i quajtur ASKAP J1832-0911 ndodhet 15 000 vite dritë larg Tokës dhe është në të njëjtën galaktikë si sistemi ynë diellor.
Rrezet X që janë zbuluar nga observatori Chandra i NASA-s, mund të jenë kyçe për të ndihmuar astronomët që të kuptojnë më mirë natyrën e këtyre trupave intrigues dhe sjelljen e tyre.
“Rrezet X zakonisht vijnë nga mjedise shumë të nxehta dhe energjitike, kështu që prania e tyre tregon se diçka e fortë i ka ndodhur trupit”, shprehet Wang.

Transientët afatgjatë duken më energjitikë sesa mendohej më parë nëse mund të prodhojnë rrezet X të cilat kanë më shumë energji sesa valët radio.
Studimi është publikuar në revistën Nature.

