LAMTUMIRË CARRIE! Mbyllet përfundimisht “And Just Like That”! Vazhdimi i serialit nuk fiton dot zemrat e publikut
Seriali “And Just Like That”, vazhdimi i “Sex and the City”, përfundoi pas tre sezonesh pa arritur të fitojë simpatinë e publikut si paraardhësi i tij. Mungesa e kohezionit, ndryshimet në personazhe dhe trajtimi i dobët i temave moderne e bënë serialin sipas kritkeve dhe audiences një mundësi të humbur.

Pas tre sezoneve, seriali “And Just Like That”, vazhdimi i shumëpritur i “Sex and the City” ka përfunduar përgjithmonë.
Episodi i fundit u transmetua këtë javë në SHBA, duke i dhënë lamtumirën përfundimtare personazhit ikonik të Carrie Bradshaw, e luajtur për 27 vite nga Sarah Jessica Parker.
Seriali, u përpoq të sjellë jetën e katër shoqeve të famshme në moshë më të madhe dhe me realitete të reja, por që nga fillimi u përball me sfida.
Ndryshe nga suksesi i madh i serialit origjinal, “And Just Like That” sipas kritikëve, zhvillimi I personazheve ishte i dobët, mungonte kohezioni dhe përpjekjet për të trajtuar tema moderne si diversiteti apo seksualiteti ishin te sforcuara.
Mungesa e Samanthës, ndryshimet e çuditshme në karakteret e Carries, Mirandës dhe Charlottes, si dhe linjat e pazhvilluara të ngjarjes, lanë shumë fansa të zhgënjyer.
Producenti ekzekutiv Michael Patrick King konfirmoi mbylljen përmes një njoftimi në Instagram, duke thënë se ishte koha për ta përmbyllur historinë.
Megjithëse pati disa momente pozitive, seriali nuk arriti të riprodhojë magjinë dhe ndikimin e “Sex and the City” – dhe shumë e shohin përfundimin e tij si një mundësi të humbur.


