KUJDES ME TRAJNERËT E PAKUALIFIKUAR/ Trajneri i CrossFit-it paralajmëron rreziqet nga këshillat e pakualifikuara
Zgjedhja e një trajneri të pakualifikuar mund të shkaktojë dëmtime fizike dhe rezultate të gabuara gjatë stërvitjes. Ekspertët këshillojnë qytetarët të verifikojnë kualifikimet dhe certifikimet profesionale të instruktorëve përpara se t'u besojnë shëndetin e tyre.
Aktiviteti fizik mbetet një nga faktorët kryesorë për ruajtjen e shëndetit, por sipas trajnerit të CrossFit-it, Leonsjo Guma, po aq e rëndësishme sa stërvitja është edhe zgjedhja e trajnerit të duhur.
Ai thekson se qytetarët duhet t’u kushtojnë vëmendje kualifikimeve profesionale të instruktorëve, duke paralajmëruar se këshillat e pakualifikuara mund të shkaktojnë dëmtime dhe konfuzion gjatë ushtrimeve.
Gjatë një interviste për Ora News, Guma tha se trendi i personave që promovohen si trajnerë pa formimin e nevojshëm profesional është bërë shqetetësues.
Sipas tij, rrjetet sociale kanë ndikuar në përhapjen e këshillave jo gjithmonë të sakta, prandaj qytetarët duhet të verifikojnë përvojën dhe certifikimet e trajnerëve para se t’u besojnë shëndetin e tyre.
Trajneri këshillon që qytetarët të stërviten rregullisht, ndërsa thekson se rezultatet varen edhe nga udhëzimet profesionale dhe zgjedhja e trajnerëve të kualifikuar.

