Tola: Turizmi “high-end” kërkon infrastrukturë dhe zhvillim të qëndrueshëm, jo vetëm resorte luksoze!

Tola: Turizmi “high-end” kërkon infrastrukturë dhe

Ekonomisti Igli Tola, në një intervistë për “Ora News”, ka analizuar drejtimin aktual të turizmit në Shqipëri, duke theksuar se kalimi drejt modelit “high-end” mbetet ende sfidues dhe i papërmbushur. Sipas tij, pavarësisht shifrave të larta të turistëve të deklaruar çdo vit, vendi ende nuk është gati për të konkurruar në tregun e turizmit elitar.

Tola thekson se konkurrenca në segmentin e turizmit luksoz është shumë e fortë, sidomos me vende si Greqia, Italia dhe Kroacia, të cilat kanë traditë dhe infrastrukturë shumë më të zhvilluar. Sipas tij, Shqipëria nuk mund të mbështetet vetëm te ndërtimi i resorteve me pesë yje apo sjellja e brandeve ndërkombëtare, pasi kjo nuk është e mjaftueshme për të tërhequr turistë me shpenzime të larta.

Ai ngre si problem kryesor infrastrukturën ende të papërfunduar, trafikun e rënduar dhe mungesën e një pakete të plotë shërbimesh turistike. Këto mangësi, sipas tij, ndikojnë drejtpërdrejt në përvojën e turistëve dhe në imazhin afatgjatë të vendit.

Një tjetër shqetësim i ngritur është sezonaliteti i fortë i turizmit, i cili aktualisht përqendrohet në një periudhë shumë të shkurtër prej 40 deri në 60 ditësh. Kjo, sipas ekspertit, e bën sektorin të paqëndrueshëm dhe të ndjeshëm ndaj krizave ndërkombëtare, ku turizmi është ndër të parët që goditet.

Gjithashtu, Tola paralajmëron se mungesa e lidhjes me bujqësinë dhe prodhimin vendas bën që një pjesë e madhe e të ardhurave të turizmit të përfundojnë jashtë vendit përmes importeve, duke ulur ndikimin real në ekonominë shqiptare.

Sipas ekspertit, zhvillimi i turizmit kërkon një qasje të integruar që përfshin infrastrukturë të qëndrueshme, lidhje me ekonominë vendase dhe zgjerim të sezonit turistik. Pa këto elemente, kalimi drejt turizmit elitar rrezikon të mbetet vetëm një objektiv në letër dhe jo një realitet ekonomik i qëndrueshëm.

Igli Tola: Dhe ne jemi të koshientë faktit që vit pas viti themi publikohet numri i vizitorëve apo turistëve, thamë kaluam 10 milionë turistë, suksese, kështu me radhë. Dhe ndryshuam kurs, 360 gradë, dhe tashmë prej gati një viti po fokusohemi apo po lançohet programi i turizmit, themi 'high-end', pra turizmi elitar, normalisht themi turizmi i shtrenjtë. Duhet të kemi parasysh se në këtë sektor, pra në 'high-end', konkurrenca është e pakrahasueshme më e lartë. Qoftë në nivel rajonal, me fqinjët tanë kryesorë, Greqinë, Italinë apo më tutje edhe Kroacinë, që kanë një historik, një eksperiencë shumë më të madhe se ne në turizëm, një kulturë në të shërbyer, duke pasur avantazh konkurrues ndaj nesh.

Por nga ana tjetër, në momentin që ne duam të bëjmë këtë kalim, në 'high-end', duhet të plotësojmë një sërë parakushtesh të cilat mungojnë. Pra, një turisti i huaj që vjen dhe që pritet për të shpenzuar vlera të tilla, duhet t'i ofrohen një sërë fasilitetesh të cilat ne realisht, aktualisht nuk i kemi. Duke filluar që nga infrastruktura, që vazhdon të jetë problem dhe ne e shohim përditë që ka ende akse të papërfunduara, trafik të rënduar, punime që vazhdojnë gjatë sezonit të verës.

Për turistët të cilët vijnë dhe kërkojnë shumë më shumë se sa thjesht turizëm balnear, pra aksesin në det apo mundësinë për t'u pushuar. Pra, në pamundësinë për të ofruar këtë paketën e plotë për një turizëm elitar, nuk mund të presim që këta turistë elitarë të vijnë dhe të pushojnë thjesht duke pasur disa resorte me pesë yje superior apo disa brande ndërkombëtar. Pra këto janë të nevojshme, pra është diçka që globalisht duhet për të patur një, një qasje në këtë kategori turizmi, por është thjesht e nevojshme por jo, por jo e mjaftueshme.

Pra duhet le të themi qeverisja, qoftë në nivel qendror dhe nivel lokal, të plotësojë një sërë parakushtesh të tjera që ne të jemi të gatshëm për këtë lloj turisti. Ndryshe ata turistë që vijnë mbeten të pashërbyer siç duhet, nuk marrin atë përshtypjen e duhur, feedback-u që lënë nuk është ai i duhuri dhe ndikon të themi bumerang në atë që ne prisnim në afatmesëm dhe në afatgjatë duke, duke tkurrur të themi kontributin e turizmit në ekonomi në vitet e ardhshme.

 Ka një rrezik të madh kur flasim për një ekonomi e cila bazohet në turizëm. Sepse zhvillimi i turizmit është një zhvillim i cili është shumë sezonal. Pra nuk është një sektor i cili është i shtrirë gjatë gjithë vitit dhe sjell kontribut në ekonomi, në punësim, në të ardhura publike në mënyrë themi të vazhdueshme gjatë gjithë vitit.Po flas në kushtet aktuale, absolutisht, po flas në kushtet aktuale. Pra ky turizëm që ne sot po ofrojmë është një turizëm i cili përqëndrohet në një 'busy season' i cili themi në rastin më të mirë shkon, themi, në 60 ditë.

Pra 40 deri 60 ditë është piku i tij i evoluimit. E dyta, turizmi është një sektor i cili është shumë i ndjeshëm nga situatat ndërkombëtare dhe është i pari që preket. Pasi flasim për një shërbim relativisht që hyn jo te të mirat e zakonshme, por te të mirat e luksit. Pra në rastin e një krize, pasigurie e kështu me radhë, të parët, ato që anulohen rezervimet, janë turistët. Dhe e treta është që turizmi kërkon një angazhim të madh në një periudhë të shkurtër kohore duke lënë stafet, themi, të papuna apo të papërshtatshme në periudhat e tjera të vitit.

Pra ky është rreziku më i madh. Dhe kur flasim për investime të huaja në turizëm, duhet të kuptojmë që këto investime që vijnë dhe kalkulohen që hidhen në turizëm, nuk është se ngelen të gjitha këtu. Pasi duke mos pasur një turizëm të fortë të mbështetur nga një bujqësi e fortë, duke mos pasur produkte ushqimore të vendit aty, duke mos pasur facilitetet e vendit aty, bën që një pjesë e madhe e tyre vlerave të vijnë nga importi dhe të shkojnë andej nga jashtë.

EMISIONET