Aurorat, “shenja hyjnore” brez pas brezi/ Popujt indigjenë i shihnin si ogur i mirë ose i keq sipas ngjyrave
Sot shkenca i shpjegon dritat polare si një fenomen që ndodh si pasojë e shpërthimeve diellore. Por mitet dhe tregimet tradicionale të kulturave të ndryshme në botë vazhdojnë të ruajnë magjinë e këtij fenomeni qiellor.

Fenomeni mahnitës i dritave polare ka magjepsur njerëzit për mijëra vjet, duke u interpretuar si shenja hyjnore.
Sot, shkenca i shpjegon si rezultat i shpërthimeve diellore që godasin fushën magnetike të Tokës, por ekspertët thonë se mitet e kulturave të ndryshme rreth e qark globit vazhdojnë të shoqërojnë këtë spektakël qiellor.
Studiuesit besojnë se shumë tregime indigjene për të ashtuquajturat aurora rrezikojnë të humbin përgjithmonë së bashku me zhdukjen e gjuhëve tradicionale.
Sipas dokumenteve historike, përshkrimet më të hershme të aurorave shfaqen në Kinën e lashtë rreth vitit 1000 Para Krishtit, në tekstet greke të Aristotelit dhe në pllakat babilonase dhe asiriane që flasin për “qiell të kuq” dhe “re të ndezura“.

Në zonat polare, ku aurorat shfaqen rregullisht, popujt indigjenë kanë krijuar ide të ndryshme: në Lapland, dritat janë “bishti i dhelprës së akullit”, ndërsa në traditën Sami quhen “dritat që mund t’i dëgjosh”.
Në Alaskë, aurorat tregohen si paralajmërime, shpesh të lidhura me vdekjen, për të trembur fëmijët që të mos dilnin natën.
Edhe gjatë historive politike, aurorat janë interpretuar si shenja hyjnore. Pas kryengritjes Jakobite në Angli në vitin 1716, dritat e qiellit u panë nga disa si paralajmërim për “rrëzimin e mbretërive”.
Fenomeni frymëzoi edhe poetë gjatë luftës amerikane për pavarësi.


