120 orë punë dhe 200 mijë kristale/ Zbulohet ÇMIMI i veshjes luksoze të Shakirës në finalen e Kupës së Botës

Shakira ishte një nga figurat më të komentuara të finales së Kupës së Botës 2026, jo vetëm për performancën muzikore në pushimin e ndeshjes, por edhe për paraqitjen e saj të veçantë në skenën e stadiumit New York New Jersey.
Këngëtarja kolumbiane u shfaq më 19 korrik me një kostum të krijuar posaçërisht për këtë event nga shtëpia e modës Roberto Cavalli, nën drejtimin artistik të stilistit Fausto Puglisi. Veshja u kthye menjëherë në një nga elementët më të spikatur të spektaklit të finales.
Kostumi i Shakirës ishte i zbukuruar me më shumë se 200 mijë kristale Swarovski, ndërsa realizimi i tij kërkoi rreth 120 orë punë me dorë dhe më shumë se dy javë për përfundimin e detajeve.
Krijimi përfshinte një kostum trupi të mbuluar me kristale dhe një fund me thekë në ngjyrat e verdhë dhe rozë, i frymëzuar nga modeli “Ray of Sunset”, një variant i konceptit “Ray of Gold” të Roberto Cavallit.
Në skenë, Shakirës iu bashkuan 34 valltarë, të cilët kishin gjithashtu veshje të krijuara nga Roberto Cavalli, me tone të frymëzuara nga ngjyrat e perëndimit të diellit.
Gjatë spektaklit të pushimit të finales, Shakira performoi së bashku me Burna Boy këngën “Dai Dai”, pjesë e programit muzikor të Kupës së Botës 2026.
Finalja e Botërorit përfshiu edhe performanca të artistëve të tjerë të njohur, mes tyre Madonna, BTS dhe Justin Bieber, në një produksion muzikor 11-minutësh të përgatitur nga Chris Martin i Coldplay.
Spektakli u zhvillua gjatë ndeshjes mes Argjentinës dhe Spanjës, ku Spanja fitoi 1-0 dhe siguroi trofeun e dytë të Kupës së Botës në historinë e saj.


