“Ngatërresa” e Muzeut të Pavarësisë me Shtëpinë e Flamurit, 85% e vizitorëve shqiptarë të Kosovës e Maqedonisë.V
Shqiptarët nga Kosova e Maqedonia e Veriut përbëjnë 85 % vizitorëve në Muzeun e Pavarësisë në Vlorë, ku vizitorët kanë shënuar një rritje 10 % në krahasim me vitin 2020. Drejtori i Muzeut Kombëtar tregon për Ora News edhe ngatërresën që bëjnë shumica e vizitorëve.
Sezoni veror riktheu vizitorët në Muzeun e Pavarësisë në Vlorë pas një viti të vështirë mes pandemisë së koronavirusit.
"Në krahasim me muajin korrik 2020 kishte një rritje të ndjeshme, diku 10%."
Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut përbëjnë 85% të totalit të vizitorëve, gjatë muajve kur mungojnë nxënësit e shkollave.
"Me një lloj kënaqësie dhe krenarie që 85% e vizitorëve këtu janë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut."
Rikualifikimi urban i zonës pranohet se ka mbajtur larg turistët, të cilët në Vlorë kryesisht shkojnë për detin, ndaj Muzeu i Pavarësisë u ka krijuar alternativa me oraret.
"Kemi bërë dhe një spot në një nga tabelat elektronike të qytetit që Muzeu është i hapur dhe rrugët që të çojnë në Muze. Njerëzit mendojnë se duke u bërë punime, duke qenë një lloj kantieri zona e Muzeut nuk vijnë."
Muzeu që ndodhet në një godinë Monument Kulture tregon me fotografi e dëshmi rrugën e krijimit të shtetit shqiptar dhe veprimtarinë e qeverisë së Ismail Qemalit.
Por një detaj i ngatërron të gjithë vizitorët.
"Njerëzit mendojnë se kjo është shtëpia ku është shpallur pavarësia e 28 Nëntorit 1912 dhe kur u themi se nuk është kjo të gjithë thonë se nuk e dimë, sot e mësuam."

