Monumentet e parqet arkeologjike të Vlorës, Feimi: 52% më shumë vizitorë se vitin e kaluar
Monumentet e kulturës dhe parqet arkeologjike që administrohen nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë gjatë sezonit turistik të këtij viti janë vizituar nga një numër i madh vizitorësh vendas dhe të huaj.
Drejtori i DRTK Vlorë, Orgest Feimi në një intervistë për ATSH-në tha se “vit pas viti, monumentet dhe sitet arkeologjike të Vlorës tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë. Sipas statistikave për këtë vit, numri i vizitorëve deri me 20 gusht është rritur rreth 52% më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.
“Vizitorët kanë shfaqur interes për 7 objektet e vizitueshme me biletë nën juridiksionin e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, si: kalaja e Porto Palermos, kalaja e Kaninës, kalaja e Himarës, Manastiri i 40 Shenjtorëve, Parku Amantia, Parku i Orikut dhe ai i Finiqit”, tha Feimi.
Në këto monumente janë kryer investime për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, por edhe për përmirësimin e shërbimeve, infrastrukturës së brendshme dhe sinjalistikës në ndihmë të vizitorëve.
“Krahas rinovimit të tabelave shpjeguese dhe orientuese në parqet arkeologjike të Amantia dhe Orikumit, kemi pasuruar informacionin e itinerarit të vizitave me një numër të konsiderueshëm tabelash të reja. Gjithashtu, biletaritë e të dy parqeve u pajisën me tabela informuese mbi çmimin e biletave sipas kategorive, si dhe mbi oraret e vizitave”, shtoi ai.
Feimi bëri të ditur se “konkretisht deri në fund të gushtit Porto Palermo u vizitua nga 13 368 vizitorë, Kalaja e Kaninës nga 2 093, Kalaja e Himarës 2 697, Manastiri i Dyzet Shenjtorëve 1675, Parku Arkeologjik Amantia 559, Parku Arkologjik i Orikut nga 1 291 dhe Parku Arkeologjik Finiq nga 731”, tha Feimi.
Lidhur me punimet e mirëmbajtjes, restaurimit, konsolidimit, në objektet monument kulture Kat. I-rë, pjesë e paketës së mirëmbajtjes të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë për vitin 2023, Feimi tha se “gjatë këtij viti kanë përfunduar punimet mirëmbajtëse në këto objekte: “Banesa me dy peristile”, e cila ndodhet në në Parkun Arkeologjik të Finiqit; “Kisha e Shën Mërisë”, e cila ndodhen në Fshatin Malçan të Bashkisë Finiq; “Puset e Vjetra”, të cilat ndodhen në Fshatin Dhrovjan të Bashkisë Finiq; “Kisha e Shën Mëhillit”, e cila ndodhet në Fshatin Kostar të Bashkisë Finiq; “Kisha e Shën Janit”, e cila ndodhet në Bashkinë Delvinë; Muri rrethues i “Kishës së Shën Mërisë Kameno”, e cila ndodhet në Bashkinë Delvinë; Porta e kishës së “Shën Kollit”, në Fshatin Mesopotam”.
Një vëmendje e veçantë nga DRTK Vlorë i është kushtuar edhe gërmimeve arkeologjike.
“Në kuadër të projektit kërkimor shkencor “Lepenica: dokumentimi dhe vëzhgimi arkeologjik në një strehë me art shkëmbor parahistorik (Shpella e Shkruar, Lepenica) u zhvilluan gërmime arkeologjike në strehën ku ndodhet piktura shkëmbore prehistorike e Lepenicës”, tha Feimi.
Sipas tij, faza finale e këtij projekti do të zhvillohet vitin e ardhshëm dhe do të përqëndrohet në restaurimin dhe konservimin e pikturës shkëmbore.
Vlora është e vendosur në një pozicion mjaft të përshtatshëm në qendër të gjirit me të njëjtin emër. Një numër i madh sitesh arkeologjike dhe monumentesh përfaqësojnë periudhat e ndryshme të historisë së Vlorës. Qyteti bregdetar përmendet pothuajse në të gjithë itineraret e kohës perandorake romake, si dhe një skenë e përshtatshme për ata që vinin nga Hydrunti (Otranto) apo Brindisi, por në radhë të parë si stacion në rrugën nga Apolonia për në Butrint, ku sipas burimeve historike në antikitetin e vonë u kthye në qendër peshkopale dhe njëkohësisht ishte një nga tetë qendrat më të rëndësishme të provincës së Epirit të Ri.
Trashëgimia kulturore e historia e jashtëzakonshme, së bashku me peizazhin e mrekullueshëm të gjirit të Vlorës dhe një sërë monumentesh natyrore përreth tij e kthejnë këtë qytet në një atraksion të pakrahasueshëm turistik. /ATSH/