Makiaveli, pushteti dhe çmimi i shpirtit

Makiaveli, pushteti dhe çmimi i shpirtit

Në vitin 1513, në vetminë e një shtëpie modeste në fshatin Sant’Andrea in Percussina, një njeri i përbuzur nga qyteti i tij ulej përballë vetes. Quhej Nikolo Makiaveli. Ishte përjashtuar nga jeta politike e Firences, ishte torturuar dhe kishte humbur gjithçka përveç mendjes së tij. Nga ai mërgim i dhimbshëm lindi Princi, një libër që nuk kërkonte falje, as drejtësi, por kuptim. Ai nuk ishte një traktat mbi virtytin, por një manual i mbijetesës në një botë ku morali shpesh është luks, e pushteti një art i errët që s’e njeh pafajësinë.

Makiaveli i përkiste një kohe ku idealet humaniste të Rilindjes përplaseshin me intrigat e oborreve, me rrëzimet e republikave dhe tradhtitë e princërve. Ai kishte parë nga afër dobësinë e virtytit përballë dhunës së ambicies. Në këtë terren të ashpër ai ngjizi mendimin e tij më të guximshëm: se politika nuk është degë e moralit, por e domosdoshmërisë. Se sundimtari nuk është as prift, as shenjt, por njeri që mbijeton mes ujqërve.

“Qëllimi justifikon mjetet”, kjo frazë, që nuk ndodhet kurrë ashtu siç citohet në librin e tij, por që përmbledh frymën e Princit, është bërë mallkim dhe lavdi për Makiavelin. Ai nuk ftoi në mizori, por në kthjelltësi. Ai nuk i mësoi princit si të bëhet i keq, por si të mos jetë i pakuptueshëm në një botë ku mirësia pa forcë është e kotë. Princi i tij duhet të jetë njëkohësisht luan e dhelpër, i fortë për të imponuar respektin, i zgjuar për të shmangur kurthet, dhe i pamëshirshëm për të vepruar kur ndërgjegjja njerëzore do të nguronte.

Kështu, Makiaveli ndau për herë të parë politikën nga morali, një ndarje që e tronditi botën dhe i dha emrin një peshe të re: makiavelizmi. Ai u quajt “djalli i Firences”, sepse pati guximin të përshkruante njeriun ashtu siç është, jo siç duhet të jetë. Ai hoqi maskat e idealizmit dhe i vuri politikës fytyrën e saj të vërtetë: ambicioze, llogaritëse, shpesh e pamëshirshme.

Por nën këtë analizë të ftohtë të pushtetit fshihet një reflektim më i thellë mbi natyrën njerëzore. Makiaveli e kuptoi se besnikëria është e përkohshme, virtyti shpesh është skenë, dhe fati, një aktor i çrregullt që s’luan sipas rregullave tona. Udhëheqësi, sipas tij, duhet të dijë të sundojë pamjen, sepse dukja është më e qëndrueshme se realiteti. Ai duhet të duket i mëshirshëm, i drejtë dhe i ndershëm, por të dijë të heqë dorë nga të tria kur kërkon vetë shpëtimi i shtetit.

Kjo nuk është thjesht një filozofi e pushtetit, por një pasqyrë e shpirtit njerëzor. Secili prej nesh, në masën që përpiqet të mbijetojë në botën e vet, bëhet pak “makiavelian”, mëson të përshtatet, të mashtrojë dukshëm për të ruajtur thelbin, të fshehë ndjesinë për të mbrojtur veten. Në këtë kuptim, Princi nuk flet vetëm për sundimtarët, por për njeriun e zhveshur nga iluzionet, që përballet me jetën si me një lojë që s’mund të fitohet gjithmonë me rregulla.

Pesë shekuj më vonë, Princi ende na trondit sepse nuk i përket vetëm së kaluarës, por çdo kohe ku pushteti kërkon fytyrën e vet. Ai është një pasqyrë ku presidentët, gjeneralët, drejtuesit dhe revolucionarët shohin veten, ndoshta për t’u udhëzuar, ndoshta për t’u paralajmëruar.

Makiaveli shkroi për të rifituar favorin e Mediçëve, por fitoi diçka më të madhe, pavdekësinë. Ai nuk na mësoi si të jemi të mirë, por si të mbijetojmë. Dhe në këtë mësim të ftohtë e të hidhur, ai na la një pyetje që përshkon çdo korridor pushteti dhe çdo ndërgjegje njerëzore:

A është madhështia e njeriut një vlerë, nëse çmimi i saj është humbja e shpirtit?

EMISIONET