Konfirmohen mbetje mortore në 6 vendvarrime, AIDSSH: Këtë herë kemi prova të forta për hetim

Konfirmohen mbetje mortore në 6 vendvarrime, AIDSSH: Këtë

Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula bëri të ditur sot se, sa i përket kërkimit për të zhdukurit, tashmë ekziston një bazë më e plotë provash dhe dokumentimi, që duhet të kalojë në duart e drejtësisë.

Ky kërkim ka hyre në një fazë më të avancuar, por edhe më kërkuese për vendimmarrje.

“Këtë herë kemi një ndryshim thelbësor: prova më të plota, dokumentim më të strukturuar dhe një bazë më të fortë për hetim”, u shpreh Sula, në përmbyllje të projektit AIDSSH–ICMP, duke kërkuar që prokuroria të marrë në shqyrtim gjetjet.

Aktualisht, AIDSSH po avancon në verifikimin e 17 vendvarrimeve të dyshuara, ndërsa në gjashtë prej tyre ICMP ka konfirmuar praninë e mbetjeve mortore përmes metodave shkencore, një zhvillim që konsiderohet si provë e fortë për vijimin e hetimeve.

Konfirmohen mbetje mortore në 6 vendvarrime, AIDSSH: Këtë

Paralelisht, është ndërtuar dhe konsoliduar databaza për personat e zhdukur, ku deri më tani janë regjistruar rreth 410 raste, të mbështetura në kërkesat e familjarëve dhe verifikimet institucionale. Kjo databazë përbën bazën kryesore për hetim, identifikim dhe bashkëpunim ndërinstitucional.

Në hapje të aktivitetit, përfaqësuesja e ICMP, Samira Krehic, theksoi se projekti ka vendosur themelet e një procesi të qëndrueshëm dhe në përputhje me standardet evropiane, por paralajmëroi se mijëra familje vijojnë të presin përgjigje dhe se kjo mbetet një përgjegjësi e hapur e shtetit.

Konfirmohen mbetje mortore në 6 vendvarrime, AIDSSH: Këtë

Anëtari i Autoritetit të Dosjeve, Gjergj Marku theksoi nevojën për një koordinim real dhe të detyrueshëm ndërinstitucional, në mënyrë që puna e bërë të mos mbetet e fragmentuar. Në thelb, mesazhi i këtij takimi ishte i qartë: është ndërtuar një bazë serioze pune, por hapi vendimtar nuk është më teknik, por politik dhe institucional.

Luigj Ndou, koordinator i ICMP për Shqipërinë, shprehu gatishmërinë e organizatës për të qenë në krah të qeverisë shqiptare dhe për të mbështetur procesin me ekspertizë teknike, por theksoi se ndërmarrja e hapave konkretë dhe vendimmarrja mbetet përgjegjësi e institucioneve shqiptare.

EMISIONET