“Koha jonë, është mbushur nga profetë, që profetizojnë ‘Fundin e Evropës’, vallë, kaq shpejt…”?! / Refleksionet e publicistit të njohur të botuar në 1934-ën në Tiranë, me titullin; “Evropa dhe ne të tjerët”

“Koha jonë, është mbushur nga profetë, që

Nga Branko MERXHANI

Koha jonë, kohë pleonasmash dhe produksioni të tepër, është mbushur edhe nga Profetë, që profetizojnë “Fundin e Evropës”. Vallë? Kaq shpejt? Po kur u-plak dhe po jep shpirtin djali i djeshëm?

Gjurmët e para të jetës së saj nuk e kapërcejnë shekullin XII-të. Po dita e vërtetë e lindjes së saj është më e afërme. Mund të na e kallëzojë edhe fant Azia, më e varfër e brezit më të parë. Besimi i “Perëndisë – Njeri”, që erdhi dhe iku si ndonjë “VISION” këtu e njëzet shekuj më parë, po mbretëron akoma edhe sot.

Byzanti, ky emër mizor dhe për të qarë, qëndroi më se njëmijë vjet. Vetëm hija e tij rrojti pesë shekuj. Po Evropa? Mbaroi? – E rreme! Në rrëzat e Uraleve po gjëmon zëri i saj. Shpirti i saj sapo arriti në fushat mëkatare të Azis së harruar. Evropa hyri në Azi, këtu e një shekull e gjysmë më parë. Tani që ikën, që ecën praptazi, tani pikërisht hyn në ‘të.

Evropa u-fut thellë në kryet, në gjakun, në shpirtin e robërve të saj të djeshme. Atje ku ata hynë horizonti ndërroi menjëherë. Në stepat e thata pa an’e krye, po mbijnë pemë që shtien hije, aq sa qielli i katërt i vendit të përrallës dhe të ëndrrës po mbushet me tym të zi, që lëshon një Perëndi e re: MAQINA.

Një shekull e gjysmë Azia plakë, ky djep i feve dhe i Theokrative, po lozte me shakat e saj.

Dora e saj, e hollë dhe sentimentale po shkruante vjersha dhe bënte lodra. Nuk deshi të ndërrojë me fuqinë e Maqinës. Trembesh nga armët më të mbaruara dhe nga dituria më e lartë e zaptonjësit, si nga ndonjë mëkatë. Kërkoi shpëtimin e saj nga mohimi i duruar dhe i pambaruar i Theokratisë.

Atje brenda e kishte burgosur shpirtin e saj. Po turpi i saj mbeti jashtë. Kështu, duke fshehur shpirtin dhe duke lënë jashtë trupin, pandehte se do të shpëtonte. Shpëtoi sa mund të shpëtojë edhe ai zog i varfër, që fsheh vetëm kryet brenda në rërë që të shpëtojë nga plumbat e gjahtarit!… Shtrenjtë e pagoi Azia verbërinë e saj. U bë skllave.

Njëqind e pesëdhjetë vjet shkuan sa të sgjohet Azia. Ballët e saj i ndriti tej-për-tej nga një flakë e bardhë. Pasioni i saj është pa fre, i egër, hakmarrës. Po Theokratët u-vogëluan. Tashmë ajo kërkojnë Maqinën, beson Maqinën – me atë dashuri, me atë pasion që besonte gjer dje hallet e saj të mëndafshta dhe vazot e saj t’ergjenta. Merr pastaj maqinismën idololatrike dhe e shkrin mirë-e-mirë, brenda në flakën e të dhëmburavet të saj, njëqind e pesëdhjetë vjet me radhë.

Ka edhe ajo nostalgji për Qytetërimin dhe për Teknikën e madhe të sotme, jo vetëm me syrin e dobisë, po sidomos me vendimin e çlirimit kombëtar. Në Rusi, në Turqi, në Persi, në Hind, po zien nostalgjia e shpëtimit të Aziarit. Azia vjen në vete – për hir të Evropës.

“EVROAZIA” bredhëse e Trubeckoj-it, kjo copë dhe në mes të Evropës dhe Azisë, ç’bëhet? – Popujt e saj po marrin frymë thellë. Demokracitë e saj po shtohen. Është shenjë që edhe ata hynë në periodën e zierjes së brendshme. Karta shoqërore dhe ekonomike e popujve të vegjël të ndryshëm, që nga ujërat e shqetësuara të Egjeut, gjer në buzë detin e vërtetë të Filandisë, po sillte gjer dje të nxirat e një rënieje të heshtur.

Mirëpo arritën në periodën më karakteristike të mundimeve të tyre të gjata: në periodën e REALITETEVET KOMBËTARE.

– Të huajt u-hoqën pothua vetë, pasi humbën robet e tyre të verbër. Po djemtë e robërve, të rritur në pikëllim dhe në mizori, përpiqen të ngulin flamurin e jetës së re mbi gërmadhat e errëta të kullës së neveritur. Sepse besojnë në dynamismën dhe në produktivitetin e popujve të tyre. Evropa na zbrazi xhepin, po na mbushi shpirtin./ Memorie.al

EMISIONET